Europa League me format të ri, njihuni me 8 grupet e edicionit 2021-2022!

27/08/2021 14:13

Edicioni 2021-2022 i Europa League mori jetë këtë të premte me shortin e fazës së grupeve që u hodh në Stamboll të Turqisë.

Ky sezon vjen me një format ndryshe pasi nga 48 skuadra dhe 12 grupe që ishin më parë do të jenë vetëm 8 grupe dhe 32 skuadra me 8 të parat që do të kualifikohen direkt në fazën e 1/8-ave ndërkohë që 8 skuadrat e renditura në vendet e dyta do të përballen me 8 skuadrat që vinë nga Championsi për të përcaktuar 16 ekipet që do të marrin pjesë në raundin e 1/8-ave.

Skuadrat mësuan rrugëtimin drejt finales së Ramon Sanchez Pizjuan që do të zhvillohet më 18 maj. Goglat e përzgjedhura nga dy ish-lojtarë spanjollë si Marcos Senna dhe Andres Palop vendosën në grupin A Olympique Lyon, Rangers, Spartën e Pragës dhe Brondby-in me skuadrën e Peter Bosz që edhe falë edhe cilësive të Xherdan Shaqirit konsiderohet favoritja kryesore në këtë grup. Grupi B është edhe një nga më interesantët e këtij kompeticioni pasi do të masin forcat Monaco, PSV Eindhoven, Real Sociedad dhe Sturm Graz. Short i pranueshëm edhe për Napolin që pavarsisht se është në grup me anglezët e Leicester City-t do të ketë si kundërshtarë edhe Spartakun e Moskës dhe Legian e Varshavës skuadër ku luajnë edhe dy ish-futbollistët e Tiranës, Muçi dhe Çelhaka.

Grup shumë i balancuar mund të konsiderohet ai D me ekipe si Olympiacos, Eintracht Frankfurt, Fenerbahce dhe belgët e Antëerp tek të cilët është transferuar sëfundmi ish-mesfushori i Romës dhe Interit Radja Nainggolan. Grup me emra të mëdhenj mund të konsiderohet grupi E, ku përveç Lazios së Sarrit, Hysajt, Strakoshës dhe Muriqit bëjnë pjesë edhe Lokomotiva e Moskës, Olympique Marseille i Jorge Sampaolit dhe gjigandët turkë të Galatasaray-t. Grup pa emra të mëdhenj ai F me ekipe si Braga, Crvena Zvezda, Ludogorets dhe Midtjylland.

Short shumë i vështirë për Ferencvarosin e Myrto Uzunit që do të masë forcat në grupin G me gjermanët e Bayer Leverkusen, skocezët e Celtic dhe spanjollët e Real Betis. Në grupin H dhe atë të fundit skuadra më e kuotuar për t’u renditur në vendin e parë është West Ham edhe pse anglezët e kanë pjesëmarrjen e tyre të parë në fazën e grupeve të Europa League, ndërsa bashkë me Hammers bëjnë pjesë edhe Dinamo Zagreb, Genk dhe Rapidi i Vjenës. Ndeshjet e para të fazës së grupeve të këtij edicioni të Europa League do të zhvillohen në datën 16 shtator dhe do të transmetohen ekskluzivisht në Supersport, ashtu si të gjitha sfidat e tjera deri në finalen e madhe./SuperSport/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA