Nuk ka paqe për bomberin e Stuttgaritt, Sasa Kalajdzic në këtë fillim sezoni.
Sulmuesi që shënoi 16 gola sezonin e kaluar, humbi gjysmën e dytë të përgatitjeve për shkak të koronavirusit dhe gjithashtu mungoi edhe në ndeshjen e parë ndaj Greuther Furth.
Kalajdzic u rikthye në skuadër javën e kaluar dhe të premten në mbrëmje u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes Leipzig-Stuttgart, e cila u fitua nga skuadra vendase me rezultatin e pastër 4-0, ndërsa sulmuesi austriak pësoi një dëmtim që mund ta lërë jashtë për disa javë.
Në minutën e fundit të ndeshjes, futbollisti u përplas me mbrojtësin e Leipzig, Mukiele, gjatë zhvillimeve të një goditjeje nga këndi dhe ra në tokë, duke dëmtuar shpatullën, ndërsa në fund u dërgua jashtë me ndihmën e barelës.
“Nuk kemi ende një diagnozë të saktë, por kishte dhimbje në shpatull dhe duket se e ka dëmtuar atë. Më vjen shumë keq, pasi nëse konfirmohet dëmtimi, Kalajdzic do të na mungojë për disa javë dhe ky nuk është aspak një lajm i mirë për ne. Gjithsesi tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të shpresojmë që të rikthehet sa më shpejt”, deklaroi trajneri i Stuttgart, Matarazzo.
Sasa Kalajdzic është sulmuesi kryesor i Stuttgartit dhe skuadra ka varur shpresat pikërisht te ai për të bërë një sezon të mirë dhe për të synuar një vend në kupat e Europës, por gjërat për austriakun duket se nuk po shkojnë ashtu siç pritej në këtë fillim sezoni.
Top Channel