Një burrë që tha se kishte një bombë në kamionin e tij pranë Kapitolit iu dorëzua policisë të enjten pas një përplasjeje që paralizoi një pjesë të Uashingtonit për më shumë se pesë orë. Shefi i Policisë së Kapitolit J. Thomas Manger u tha gazetarëve se personi i identifikuar si Floyd Ray Roseberry, parkoi automjetin e tij në një trotuar jashtë Bibliotekës së Kongresit amerikan në mëngjes dhe i tha një oficeri që iu afrua se kishte një bombë.
Policia mbylli rrugët dhe evakuoi ndërtesat aty pranë ndërsa negocionte me Roseberry-n. “Ai u dorëzua dhe nuk rezistoi dhe oficerët ishin në gjendje ta merrnin në paraburgim pa incidente,” tha zoti Manger. Policia nuk tha nëse ai kishte ndonjë eksploziv.
Një video e transmetuar drejtpërdrejt në Facebook tregonte personin, duke folur nga brenda një kamioni të zi të parkuar në një trotuar. “Revolucioni po vazhdon,” thoshte ai. “Po përpiqem të lidhem në telefon me (Presidentin amerikan) Joe Biden”. Disa godina përreth u evakuuan, përfshirë Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Një stacion metroje aty pranë u mbyll.
Policia bllokoi rrugët përreth kompleksit të Kapitolit ndërsa kamionët e zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit u nisën drejt zonës. Agjencia e Kontrollit të Armëve të zjarrit dhe Eksplozivëve tha se po dërgonte një teknik bombash për të ndihmuar policinë. Edhe Byroja Federale e Hetimit është angazhuar.
Zona zakonisht e mbushur me njerëz pranë Kongresit ishte relativisht e shkretë, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara dhe Senati nuk kanë seanca. Zona u rrethua me gardh të sigurisë së lartë pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump, por ai u hoq në korrik.
Top Channel