Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, në lagjen “Ahmet Haxhia”, pasi burri ka vrarë me armë zjarri gruan e tij dhe më pas ka qëlluar për vdekje edhe veten.
Policia njofton se viktima është 83-vjeçarja Sanije Bandulla, ndërsa autori 79-vjeçari Fadil Bandulla.
“Sot me datë 18.08.2021 në lagjen “Ahmet Haxhia”, Shkodër, dyshohet se shtetasi F. B., 79 vjeç në banesë ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij shtetasen S. B., 83 vjeçe dhe më pas ka vrarë veten”, njofton policia.
Me të marrë njoftimin për ngjarjen e rëndë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se Fadil Bandulla ka vrarë bashkëshorten dhe më pas veten.
Mësohet se çifti kanë patur probleme të vazhdueshme, ndërsa më pas konflikti ka përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit. Dyshohet se krimi ka ndodhur disa ditë më parë, ndërsa vetëm sot çifti është gjetur i pajetë. Ata janë prindër të tre fëmijëve, 1 vajze dhe dy djemve të cilët jetojnë në Amerikë dhe Gjermani.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Top Channel