Pushteti vendor shënoi një rritje të të ardhurave në 7-mujorin e këtij viti duke tejkaluar lehtë edhe nivelet e parakrizës.
Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave bashkitë kanë arkëtuar në total deri në fund të korrikut rreth 16.5 miliardë lekë, rreth 30 milionë euro më shumë se kundrejt një viti më parë.
Por, me gjithë përmirësimin e lehtë këtë vit niveli i ardhurave të grumbulluara nga bashkitë rezulton shumë poshtë planit të qeverisë pasi janë grumbulluar 8.8 miliardë lekë më pas se pritshmëritë e Financave.
Taksat lokale kanë shënuar edhe rritjen më të madhe në të ardhura duke arritur 12.2 miliardë lekë këtë 7-mujor, rreth 20.6 milionë euro më shumë se vitin që lamë pas ku pandemia pati një ndikim të konsiderueshëm.
Më shumë para janë mbledhur edhe nga taksa mbi pasurinë deri në fund të korrikut, por pavarësisht rritjes arkëtimet nga ky zë rezultojnë poshtë planit vjetor të Financave, duke reflektuar dobësi të pushteti vendor në mbledhjen e saj.
Ndërsa taksa e bizneseve të vogla duket se nuk ka ndikuar pothuajse aspak në të ardhurat e pushtetit vendor, pasi arkëtimet prej tyre rezultojnë në të njëjtat nivele me 7-mujorin e vitit të kaluar.
Në të njëjtat nivele me të ardhurat pothuajse janë rritur edhe shpenzimet nga bashkitë. Totali i tyre në fund të korrikut në 28.4 miliardë lekë, pothuajse sa gjysma e planifikimit vjetor të buxhetit të parashikuar për t’u shpenzuar nga 61 bashkitë e vendit.
Top Channel