Chelsea e nisi në mënyrë mjaft të mirë sezonin e ri në kampionat, pasi triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Crystal Palace, ndërsa në fundjavën e ardhshme e pret një tjetër derbi londinez, ai ndaj Arsenalit në “Emirates Stadium”.
Trajneri Thomas Tuchel u ka bërë apel të tijve të harrojnë titujt që kanë fituar dhe të përqendrohen te sfidat e ardhshme, pasi synimi është që të shtojnë të tjerë trofe për klubin londinez.
Për ta bërë edhe më të lehtë këtë mision, klubit të Chelsea-t i është shtuar edhe sulmuesi belg Romelu Lukaku, i cili pritet të nisë stërvitjen të martën me shokët e rinj të skuadrës dhe do të jetë gati për derbin e fundjavës ndaj Arsenalit.
Pikërisht një sulmues me cilësitë e belgut, i ka munguar formacionit të Tuchel, i cili tani do të duhet të studiojë një tjetër rreshtim, për të mos lëvizur nga formacioni gjermanët Havertz e Timo Werner.
“Lukaku është lojtari që na ka munguar, pasi kemi nevojë për një sulmues që të dijë të luajë me shpinë nga porta, të krijojë hapësira për të tjerët, por edhe të shënojë gola. Me të në skuadër, mund të luajmë edhe me dy sulmues, për të vënë Wernerin në të njëjtat kushte si te Leipzig, ku tregoi anën e tij më të mirë”, deklaroi trajneri gjerman.
Ndërkohë mediat pranë klubit londinez zbulojnë se plani i Tuchel është të luajë me skemën 3-4-1-2, me Havertz që do të luajë pas dyshes Lukaku-Werner, ndërsa në mungesë të fantazistit gjerman, do të kalohet në rreshtimin 3-5-2, me Mason Mount që do të aktivizohet në mesfushë përkrah Jorgihnos e Ngolo Kante.
Top Channel