Klaus Gjasula ndryshon skuadër por jo kampionat. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare është prezantuar si përforcim tepër cilësor te skuadra e Darmstadtit në Bundesligën 2 gjermane. 31-vjeçari konsiderohet lojtari i duhur për të rregulluar fazën mbrojtëse të Darmstadtit, që në dy ndeshje e para të kampionatit ka regjistruar po kaq humbjes, duke pësuar plot 5 gola.
Gjasula ka hyrë në librat e historisë të Bundesligës pasi gjatë sezonin 2019-2020 u ndëshkua plot 17 herë me karton të verdhë me fanellën e Paderbornit, duke thyer rekordin e Tomasz Hajto (16).
“Klausi është një djalë që ju pëlqen ta keni shok skuadre, jo kundërshtar në fushë,” – tha drejtori sportiv i Darmstadt, Carsten Wehlmann, teksa përshkruan cilësitë e shqiptarit.
“Gjithmonë e kam perceptuar si një klub ku njerëzit punojnë jashtëzakonisht shumë për të arritur qëllimet e tyre. Kjo është 100 për qind në përputhje me qëndrimin tim personal,” – tha Gjasula, duke komentuar sfidën e tij të re.
Gjasula, i cili mban gjithmonë një mburojë në kokë për shkak të frakturës që ka pasur në mollëz, mund të debutojë me ekipin e ri të dielën, kundër Ingolstadtit në shtëpi.
Top Channel