Rritja globale po rikthehet shpejt. Por rimëkëmbja nga pandemia është e pabarabartë dhe e brishtë, shkruan The Economist

Pandemia shkaktoi rënie të frikshme ekonomike, por tani po shfaqet një bum i çuditshëm dhe energjik. Çmimi i naftës është rritur, ndërsa restorantet dhe kompanitë e transportit po luftojnë për të rekrutuar stafin. Ndërsa shoqëritë më të mëdha sinjalizojnë se fitimet do të arrijnë nivele rekord këtë vit, tregjet e aksioneve janë gjithashtu në një periudhë lulëzimi. Një indeks i krijuar nga JPMorgan Chase dhe IHS Markit tregon se rritja globale është në nivelin më të lartë që nga viti 2006.

Çdo arratisje nga Covid-19 është një arsye për të festuar. Por ekonomia e sotme në lulëzim është gjithashtu një burim ankthi, sepse tre pengesa shtrihen nën sipërfaqe. Së bashku, ato do të përcaktojnë se cila lulëzon dhe nëse mund të ruhet një nga rimëkëmbjet më të pazakonta ekonomike në histori.

Pengesa e parë ndan të vaksinuarit nga personat e pavaksinuar. Vetëm ato vende, shtetasit e të cilëve vaksinohen, do të jenë në gjendje të zbutin Covid-19. Ky është kushti që dyqanet, baret dhe zyrat të rihapen përgjithmonë, dhe klientët dhe punëtorët të ndihen të sigurt kur largohen nga shtëpitë e tyre. Por vetëm një në katër njerëz në të gjithë botën, ka marrë një dozë të parë të vaksinës dhe vetëm një në tetë persona është i mbrojtur plotësisht. Edhe në Amerikë, disa shtete të nënvaksinuara janë të rrezikuara nga varianti infektues Delta.

Pengesa e dytë ka të bëjë me ofertën dhe kërkesën. Mungesa e mikroçipave ka penguar prodhimin e pajisjeve elektronike dhe makinave, pikërisht atëherë kur konsumatorët dëshirojnë t’i konsumojnë ato më tepër. Kostoja e transportimit të mallrave nga Kina në portet e brigjeve perëndimore të Amerikës, është katërfishuar në krahasim me nivelin e para pandemisë. Edhe kur këto pengesa të zhbllokohen, ekonomitë e hapura rishtas do të krijojnë çekuilibra të rinj.

Në disa vende, njerëzit duket se janë më të prirë të dalin për një pije sesa të punojnë në një bar, duke shkaktuar mungesë strukturore të fuqisë punëtore në sektorin e shërbimeve. Çmimet e shtëpive janë rritur, duke treguar se qiratë së shpejti do të fillojnë të rriten gjithashtu. Kjo mund të nxisë inflacionin dhe të thellojë ndjenjën se strehimi është i papërballueshëm.

Pengesa e tretë ka të bëjë me tërheqjen e stimulit. Duhet të vijë një pikë kur ndërhyrjet e shtetit që u ndërmorën vitin e kaluar duhet të tërhiqen mbrapsht. Bankat qendrore të vendeve të pasura kanë blerë asete me vlerë mbi 10 trilionë dollarë që nga fillimi i pandemisë dhe po mendojnë me nervozizëm se si ta shpëtojnë veten pa shkaktuar trazira në tregjet e kapitalit. Kina, ekonomia e së cilës nuk u tkurr në vitin 2020, ofron një shenjë të asaj që do të vijë: ajo ka forcuar politikën e kredisë këtë vit, duke ngadalësuar rritjen e saj.

Rreziqet

Ndërkohë, skemat e ndihmave emergjente të qeverisë, si programet e sigurimit të të papunëve, kanë nisur të skadojnë. Familjet nuk kanë gjasa të marrin një stimul të ri në vitin 2022. Deficitet do të tkurren në vend që të zgjerohen, duke e zvarritur rritjen. Deri tani, ekonomitë kanë shmangur në masë të madhe një valë falimentimesh të dëmshme, por askush nuk e di se sa mirë do të performojnë kompanitë kur të afrohen afatet e pagesës së huave dhe pasi punëtorët e tyre të mos paguhen më me shpenzimet e taksapaguesve.

Ju mund të mendoni se një ngjarje kaq ekstreme sa një pandemi, e kombinuar me reagimin e jashtëzakonshëm të qeverive, do të shkaktonte reagim ekonomik global po aq ekstrem. Pesimistët shqetësohen për një rikthim të inflacionit të stilit të viteve 1970, ose një përplasje financiare, ose se energjia themelore e kapitalizmit do të venitet nga ndihmat shtetërore. Rezultate të tilla apokaliptike janë të mundura, por nuk ka shumë të ngjarë të ndodhin. Një mënyrë më e mirë për të parashikuar të ardhmen, është duke shqyrtuar se si tre linjat e pengesave bashkëveprojnë ndryshe në ekonomi të ndryshme.

Amerika

Fillojmë me Amerikën. Me vaksina të shumta dhe stimul të madh, ekonomia e saj është në rrezik mbinxehje. Në muajt e fundit, inflacioni ka arritur nivele që nuk janë parë që nga fillimi i viteve 1980. Tregu i punës po vihet nën presion, ndërkohë që aktiviteti ekonomik zhvendoset. Edhe pas shtimit të 850,000 vendeve të reja të punës në qershor, numri i njerëzve që punojnë në hoteleri është 12% më i ulët se para pandemisë. Punëtorët ngurrojnë që të rikthehen në këtë industri, e cila ka rritur pagat. Pagesa për orë është pothuajse 8% më e lartë se në shkurt 2020.

Ndoshta ata do të kthehen kur ndihmat emergjente të papunësisë të skadojnë në shtator. Por edhe shtetet që nuk kanë një skemë të tillë, si Australia, po vuajnë gjithashtu nga mungesa e fuqisë punëtore. Qëndrimet ndaj punës mund të ndryshojnë në pjesën e poshtme të spektrit të të ardhurave, midis kamerierëve dhe pastruesve, jo vetëm midis profesionistëve me të ardhura të larta, që ëndërrojnë jahte dhe pushime luksoze. E gjithë kjo tregon se ekonomia e Amerikës do të mbinxehet, dhe do të ketë presion të vazhdueshëm ndaj Rezervës Federale për të shtrënguar politikën monetare.

Vendet e tjera të pasura

Në vende të tjera të pasura, situata është më pak alarmante. Disa shtete kanë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që refuzon të vaksinohet, si Japonia, e cila ka vaksinuar plotësisht më pak se 15% të popullsisë së saj. Europa po përparon me vaksinat, por në sajë të stimulit më të vogël ekonomik, inflacioni nuk ka arritur nivelet amerikane. Në Britani, Francë dhe Zvicër, 8-13% e të punësuarve u përfshinë në skemat e papunësisë në fund të majit.

Në të gjitha këto ekonomi, rreziku është që politikëbërësit të reagojnë më tepër se ç’duhet ndaj inflacionit të përkohshëm, të importuar, duke e tërhequr mbështetjen ekonomike shumë shpejt. Nëse ndodh kështu, ekonomitë e tyre do të vuajnë, ashtu siç vuajti Eurozona pas krizës financiare të viteve 2007-‘09.

Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë në një gjendje problematike. Ata duhet të përfitonin nga rritja e kërkesës globale për mallra, por nuk po ndodh kështu. Indonezia, që po lufton me një valë tjetër Covid-19, po rishpërndan oksigjenin nga industritë në spitale. Në vitin 2021, vendet më të varfra, të cilave u mungon dëshira e madhe për t’u vaksinuar, parashikohet të rriten më ngadalë sesa vendet e pasura për të tretën herë në 25 vjet.

Edhe ndërsa Covid-19 dobëson rimëkëmbjet e tyre, tregjet në zhvillim po përballen me mundësinë e normave më të larta të interesit në Rezervën Federale. Kjo mund të ushtrojë presion për rënien e valutave të tyre ndërsa investitorët blejnë dollarë, duke rritur rrezikun e paqëndrueshmërisë financiare. Bankat e tyre qendrore nuk kanë luksin që të injorojnë inflacionin e përkohshëm ose të importuar. Brazili, Meksika dhe Rusia kanë rritur normat e interesit kohët e fundit dhe kështu mund të veprojnë më shumë vende. Kombinimi i vaksinimit të vonë dhe shtrëngimit të hershëm monetar, do të jetë i dhimbshëm.

Përgatituni për strehim

Cikli ekonomik ka qenë i furishëm, duke e lënë rënien pas, brenda vetëm një viti. Ndoshta deri në verën e vitit 2022, shumica e njerëzve do të jenë vaksinuar, biznesi do të jetë përshtatur me modelet e reja të kërkesës dhe stimuli ekonomik do të tërhiqet në një mënyrë të rregullt graduale. Sidoqoftë, në këtë bum të çuditshëm, kini kujdes nga pengesat./Monitor/

Top Channel