Senati fillon debatin mbi paketën e infrastrukturës

03/08/2021 08:37

Senati amerikan do të përpiqet të përfundojë punën këtë javë mbi një paketë prej 1 trilion dollarësh për investime në infrastrukturë, që do të sillte përmirësime të shumëpritura për rrugët, urat dhe sistemet e transportit masiv dhe do t’i jepte një fitore të rrallë dypartiake Presidentit Joe Biden.

Pas seancave të gjata të punës të shtunën dhe të dielën, negociatorët e Senatit njoftuan se kishin përfunduar hartimin e një projekt-ligji prej 2,702 faqesh, i cili u prezantua menjëherë, duke i hapur rrugën senatorëve të debatojnë për ndryshime.

“Kanë kaluar dekada – dekada të tëra – që kur Kongresi ka miratuar një investim kaq të rëndësishëm”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

“Grupi dypartiak i senatorëve ka hartuar një projekt -ligj që parashikon burime të konsiderueshme për riparimet, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së kombit tonë,” shtoi kreu demokrat.

Nëse miratohet, projektligji do të ishte investimi më i madh në infrastrukturën amerikane në dekada. Miratimi i tij do të shënonte një fitore të madhe për zotin Biden dhe Kongresin e ndarë thellësisht, pas miratimit vetëm nga demokratët të paketës stimuluese ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh më herët këtë vit.

Kjo do t’i hapte rrugën demokratëve, që të fillonin punën, pa mbështetjen e republikanëve, për një paketë tjetër prej 3.5 trilionë dollarësh, që ata e quajnë projekt-ligji për “infrastrukturën njerëzore” që parashikon financimin e një sërë programeve sociale si dhe për të luftuar ndryshimin e klimës.

Por së pari, Senati duhej të përfundojë ndryshimet në paketën 1 trilion dollarëshe për projektet e ndërtimit që do të përmirësonin rrugët e vjetëruara të vendit, urat dhe linjat hekurudhore dhe do të zgjeronin përhapjen e internetit me shpejtësi të lartë në zonat rurale ku ekonomia është penguar nga teknologjia e vjetër.

Në një bashkëpunim të rrallë dypartiak javën e kaluar, nisma fitoi mbështetjen paraprake nga mjaft republikanë për të filluar debatin mbi projektligjin. Duke përjashtuar zhvillimet e papritura, sipas disa senatorëve, ligji mund të jetë gati për një votim përfundimtar qysh këtë javë.

Top Channel