Shtetet e Bashkuara u kurorëzuan për herë të shtatë në Kupën e Artë, kompeticionin më të rëndësishëm për sa i përket Federatës së CONCACAF-it, në rang përfaqësuesesh. Vendasit ia dolën në këtë mënyrë për të fituar edicionin e 16-të të këtij aktiviteti në shtëpi, duke mposhtur në finalen e madhe Meksikën, rivalen e tyre të përjetshme në këtë kompeticion.
Pas kampionatit pan-evropian, që u zhvillua në 11 shtete të ndryshme të “Kontinentit të Vjetër”, si dhe Kupës së Amerikës së Jugut, që u mbajt në Brazil, Shtetet e Bashkuara patën privilegjin për të pritur gjatë kësaj vere në harkun e tri javëve edicionin e 16-të të aktivitetit, që nga vendet spanjishtfolëse të Konfederatës së Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Zonës së Karaibeve quhet ndryshe “Copa de Oro”.
Gjithsej morën pjesë 16 ekipe kombëtare dhe vlen të theksohet paraqitja vërtet shumë e mirë e Katarit, vendit organizator të kampionatit të ardhshëm botëror, që do të zhvillohet vitin tjetër në muajt nëntor – dhjetor, në bregun verilindor të Gadishullit Arabik.
Përfaqësuesja nga pjesa e Gjirit Persik, që i përket Konferederatës Aziatike, shkoi deri në fazën gjysmëfinale, ku u eliminua në Austin nga Shtetet e Bashkuara pas një goli të pësuar në minutat e fundit, nga sulmuesi i Columbus Crew Gyasi Zardes, ndërsa “El Tri”, në krahun tjetër, kaloi në NRG Stadium në Houston Kanadanë, pas golit të realizuar në sekondat e fundit të kohës shtesë, më saktë në 99’ nga mesfushori i Atletikos së Madridit Hector Herrera.
Në këtë mënyrë, “The Yanks” dhe përfaqësuesja “Trikolore” matën forcat për të dytën herë rresht në finalen e Gold Cup dhe kjo ishte hera e shtatë që dy rivalët e vjetër u ndeshën mes tyre, në duelin përmbyllës të këtij kompeticioni. Meksika kryesonte bilancin e përgjithshëm të sfidave ndërmjet tyre 5-1, madje katër prej atyre sukseseve “El Tri” i pati regjistruar pikërisht në territorin amerikan, ndërsa të vetmin triumf ndaj Meksikës në finale Shtetet e Bashkuara e patën siguruar 14 vjet më parë, në Stadiumin Soldier Field të Chicagos me rezultatin 2-1.
Dy vjet më herët, pra në vitin 2019, në finalen e luajtur pikërisht në stadiumin e mirënjohur të Shtetit të Ilinoisit përfaqësuesja e drejtuar nga Gerardo Martino ia doli të fitojë falë golit të realizuar 17’ para fundit nga futbollisti i Los Angeles Galaxy, Jonathan dos Santos. Këtë herë Meksika konsiderohej si shumë favorite, duke pasur parasysh faktin që kombëtarja amerikane u paraqit në edicionin e sivjetshëm me skuadrën e tretë. Sikur të mos mjaftonte rivaliteti historik ndërmjet këtyre dy shteteve, bëhej fjalë për dy vende që pozicionohen në njëzetëshen e parë të botës.
Meksika e 11-ta, ndërsa Shtetet e Bashkuara klasifikohen në vendin e 20-të, në renditjen botërore të FIFA-s. Finalja u zhvillua në Paradise, në Shtetin e Nevadës, në Allegiant Stadium përpara 61.000 spektatorëve. Miqtë dominuan për pjesën më të madhe të fraksionit hapës dhe ekipi amerikan ishte me shumë shumë fat që shkoi në interval pa pësuar, ndërsa në 45’ e dytë vendasit e përmirësuan ndjeshëm lojën, pavarësisht mbajtjes së gjatë të topit nga ana e skuadrës së Tata Martinos.
Heroi i takimit për ekipin e drejtuar nga trajneri Gregg Berhalter ishte padyshim Miles Robinson, një mbrojtës që për më tepër aktivizohet te skuadra e dytë e Atlanta United. 24-vjeçari nga Massachusetts shënoi me kokë golin e fitores në 117’, pra pikërisht atëherë kur lojtarët e dy ekipeve po bëheshin gati për të zgjidhur gjithcka pas gjuajtjeve të 11-metërshave.
Suksesi i dytë për kombëtaren amerikane në tri edicionet e fundit dhe i shtati gjithsej në Gold Cup, ndërsa Meksika kryeson me tetë trofe, në tre dekadat e fundit, pra që nga viti 1991 kur formati i këtij aktiviteti ndryshoi dhe luhet sipas skemës aktuale, kështuqë përjashtim nga dy rivalët e vjetër bën vetëm Kanadaja, që ia doli për të fituar në vitin 2000, sidoqoftë nëse merren parasysh edhe 10 edicionet e mëparshme që janë luajtur thjesht me fazë grupesh, pa ndeshje me eliminim të drejtpërdrejtë Meksika kryeson me kupa 11-7, ndërsa Kosta Rika dhe Kanadaja ndjekin nga pas respektivisht me nga 3 dhe 2 trofe.
Top Channel