Irani ka hedhur poshtë akuzat e Izraelit se Teherani qëndron prapa sulmit ndaj një cisterne të naftës, që menaxhohet nga Izraeli. Në sulmin që ndodhi këtë javë pranë brigjeve të Omanit u vranë një britanik dhe një rumun.
Sulmi ndaj cisternës së naftës Mercer Street, e cila është nën pronësi japoneze, por që operon nën flamurin e Liberisë, ishte sulmi i parë vdekjeprurës ndaj një anijeje komerciale.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Said Khatibzadeh gjatë një konference për media më 1 gusht, tha se Izraeli ka “krijuar pasiguri, terror dhe dhunë” dhe shtoi se “këto akuza për përfshirjen e Iranit dënohen nga Teherani”.
“Me akuza të tilla, Izraeli ka për qëllim që të shmangë vëmendjen nga faktet dhe si të tilla, ato janë të pabaza”, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës, kryeministri izraelit, Naftali Bennet akuzoi Iranin se po “mundohet të minimizojë përgjegjësinë” për incidentin.
Më 31 korrik, Marina amerikane tha se sulmi ishte kryer me dron dhe se luftanijet amerikane e kanë përcjellë deri në port, cisternën që u sulmua.
Cisterna Mercer Street menaxhohet nga Zodiac Maritime, me seli në Londër, që është pjesë e grupit Zodiac të miliarderit izraelit, Eyal Ofer.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid ka akuzuar Iranin për sulmin ndaj cisternës dhe ka thënë se Irani është “shortues i terrorizmit, shkatërrimit dhe paqëndrueshmërisë që na dëmton të gjithë ne”.
Top Channel