Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kamiltarët” si rezultat i të cilit kanë rënë në pranga 5 persona, të cilët i jepnin ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Operacioni është zhvilluar nga shërbimet e Policisë të DVP Elbasan, në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Elbasan dhe Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

“Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: B.R., 28 vjeç,  E.K., 27 vjeç, të dy banues në Devoll,  J.D., 28 vjeç,  M.Gj., 29 vjeç, dhe N.A., 23 vjeç, të tre banues në Durrës”, njofton policia.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se këta persona janë arrestuar në flagrancë, pasi në aksin rrugor Librazhd- Elbasan, në fshatin Mengël, janë kapur duke transportuar 10 shtetas të huaj.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kryenin në mënyrë të organizuar veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve me origjinë nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë transportimin e tyre nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 2 automjete, 5 aparate celular dhe 1 dozë lëndë narkotike kokainë.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA