Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas operacionit antidrogë të policisë që u realizuar ditën e sotme, por përfundoi edhe me disa incidente!
Drejtuesi i një automjeti tip “Benz” me xhama të zinj u rrethua nga efektivët, ndërsa njëri prej tyre i bërtet shoferit që të hapë derën dhe të zbresë nga makina. Ky i fundit nuk pranon ta bëjë këtë gjë dhe shkel gazin e makinës duke u larguar me shpejtësi nga zona, gjë që rrezikoi edhe jetën e njërit prej efektivëve që ndodhej shumë pranë makinës.
Të revoltuar nga dështimi i operacionit, duket se efektivët e RENEA-s ushtrojnë kontrolle në zonën përreth dhe në një moment shtrinë në tokë pa asnjë shpjegim gazetarin Ergys Gjençaj, i cili po filmonte operacionin nga automjeti i TV News24.
Për këtë veprim, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur verifikimin për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit për tejkalim kompetencash, ndërsa kryedemokrati Basha shkruan se është një akt i turpshëm që duhet dënuar me forcë.
Basha shkruan se sipas tij dhuna ndaj gazetarit në detyrë duhet hetuar dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Sipas kreut të PD dhuna është produkt i modelit të Ramës.
“Dhunimi i reporterit Ergys Gjençaj është një akt i turpshëm që duhet dënuar me forcë nga të gjithë. Brutaliteti ndaj gazetarit në detyrë duhet hetuar dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Represioni dhe dhuna ndaj gazetarëve është produkt i modelit Rama që kërkon të zhbëjë të vërtetën me propagandë, korrupsion dhe dhunë. Kjo konfirmohet edhe nga raporti I fundit i OSBE/ODIHR. Dhuna ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave është dhunë ndaj demokracisë dhe lirive të çdo qytetari”, shkruan Basha.
Top Channel