Takimi në një lokal në qendër të Tiranës dhe hedhja e kartave në kosh/ Zhvatën 4 milionë euro në 9 shtete, dëshmia e të arrestuarve

22/07/2021 17:25

Prokuroria e Tiranës me në krye prokuroren Elisabeta Imeraj dhe sektorin kundër krimit goditën me sukses një rrjet ndërkombëtar që mashtronte bizneset duke u krijuar një dëm në gati 4 milionë euro.

Imeraj në bashkëpunim me Njësinë për Krimet Kibernetike në Policinë e Tiranës, zbuloi sot finalizimin e operacionit “Phishing”, ku janë arrestuar 4 persona pasi akuzohen për mashtrim që arrin në vlerën e 4 milionë eurove.

Emrat e të arrestuarve janë: Donald Anu, 34 vjeç, shtetas i Kamerunit, alias Ugochukëu Emmanuel Emereibenu 39 vjeç, shtetas i Nigerisë; Marie Goufan, 31 vjeçe, shtetase Kamerune, banuese në Tiranë; Fatbardh Danja, 40 vjeç, banues në Tiranë; Xhentil Kupe, 54 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkohë gazetarja Anila Hoxha ka siguruar ekskluzivisht dosjen ku zbulohen detaje të rëndësishme për grupin që përvetësoi 4 milionë euro.

Skema e cila quhet “Mashtrimi i pagesës nëpërmjet postës elektronike” zbulon se personat e arrestuar, së bashku me të tjerë jashtë Shqipërisë kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare. Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme.

Ata kishin hapur edhe subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që kishin hapur, ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera. Në të paktën 9 shtete janë evidentuar subjekte që kanë rënë pre e këtij mashtrimi.

Doland Fonkem Anu alias Emanuel Emereinbenu nga Kameruni mbërriti në Shqipëri në vitin 2018 duke u prezantuar herë si përfaqësues fetar e herë si anëtar i Dhomës së Tregtisë, bëri bashkëpunëtorë me të cilët mundi të zhvasë nga kompanitë gati 4 milionë euro.

Një hetim i prokurorisë së Tiranës tregon se 34 vjeçari së bashkue me Maria Gufan nga Kameruni dhe Fatbardh Danja dhe Xhentil Kupe krijuan kompani fiktive tek të cilat u depozituan llogaritë bankare.

Në dosjen që Anila Hoxha disponon, përshkruhet se si të personazhet u takuan më datë dy shkurt në një lokal të njohur në qendër të Tiranës.

Por fillimisht shtetasi Emanuel Emereinbenu ishte marrë nën vëzhgim nga policia në datë 29 janar 2021, ditë në të cilën ka pritur në Rinas një shtetas të huaj i cili pas verifikimve rezulton të jetë Nasirudeen Babatunde Nurudeen , të cilin më pas e coi në një apartament në Selitë,

Më datë 1 shkurt 2021 Emanuel Emereinbenu lëvizi në disa banka të njohura për të kryer veprime , dhe më pas në orën 13 e 25 ai ka shkuar në banesën e Babatundes ku ka qëndruar për 4 orë të tëra.

Takimi mes të arrestuarve u zhvillua me 15 shkurt 2021 ku Fatbardh Danja ka oranizuar një takim midis një të njohuri të tij dhe shefit të tij Donald, pra Emanuel Emereinbenu i cili ishte me të njjtin xhup që kishte prit në aeroport Nasirudeen Babatunde Nurudeen. Me ta më pas u bashkua dhe një i katërt i panjohur.

Tre ditë më pas Emanuel Emereinbenu është konstatuar nga njësia e vëzhgimit rreth orës 10 të mëngjesit në afërsi të banesës së tij ku zbriti nga mjeti i tij me letra në dorë dhe u fut në një portë gri, më pas doli nga aty po me letra në dorë për tu kthyer në banesë. Gjatë rrugës ai është parë të hedhë disa letra dhe karta sim në kazanët e plehrave, të cilat më pas u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjatë kësaj periudhe Emanuel Emereinbenu dhe Fatbardh Danja kanë pasur takime edhe me disa persona të tretë. Ndërsa është vene re se Emanuel Emereinbenu ka frekuentuar në mënyrë të shpeshtë pikat e këmbimit valutor.

Ndërkohë sa u përket deklarimeve të tyre para autoriteteve , në dosjen e siguruar nga Anila Hoxha thuhet se Emanuel Emereinbenu i pyetur ne prani të avokatit në anglisht nuk ka dashur të japë shpjegime.

Pjesë nga dëshmitë në dosje

Kurse shtetasi Fatbardh Danja ka deklaruar se njihej me Donald Fonkem ALIAS Emanuel Emereinbenu sepse përpara rreth një viti , një shtetas nga Sudani me emrin Abaz e ka prezantuar me Donald Fonkem duke i thënë se ky person ishte sipërmarrës dhe kishte kompani të ndryshme.

Atij i nevojitej një përkthyes i gjuhës angleze dhe duke marrë në konsideratë se kishte nevojë të madhe ekonomike ka pranuar të bëhej përkthyes i tij.

Përkthimet për të ai i ka bërë për gati një vit dhe në këmbim ka marrë 300 mijë lekë të vjetra përveç siguracioneve. Pas përkthimeve me kalimin e kohës Donal Fonkem i ka kërkuar të bëjë dhe pjesën administrative lidhur me bizneset e ndryshme që ai hapte në Shqipëri, duke i siguruar se ishin të ligjshme.

Pasi bëheshin regjistrimet nëpër zyrat si QKB tatime tj. Hapeshin llogari të ndryshme bankare nga ku sipas Donaldit prisnin të hidheshin donacione nga klientë të tij, për të cilat ai gjithmonë thoshte se ishin brenda procedurave ligjore.

Ai ka tërhequr rreth 15 mijë dollarë amerikane dhe të gjitha ja kam dhënë Donaldit. Aktualisht kam të bllokuara 11.100 euro dhe 19500 dollarë te A Bank por janë të bllokuara dhe nuk e di arsyen e bllokimit.

Xhentil Kupe nga Korça, në deklarimin e tij Kupe sqaron se me Donaldin është njohur prej motrës së tij, pra të Donaldit, Evelina pasi kanë qenë komshinj. Ajo e ka prezantuar me Donaldin , i cili më pas është prezantuar si vëllai i Evelinës. Pas shoqërimit me Donaldin, ai i ka kërkuar ndihmë që të hapte një nipt me emrin e Xhentilit , pasi ai vetë nuk kishte leje qëndrimi dhe nuk i kushtet për të ushtruar një aktivitet të tillë.

Në mirëbesim ai e ka pyetur nëse kishte rreziqe me legjislacionin shqiptar dhe ai e ka garantuar se çdo gjë ishte e ligjshme dhe në mirëbesim dhe me dëshirën për ta ndihmuar unë ka hapur niptin, tregon Kupe.

Pas pak kohe të hapjes së nipit Donaldi më ka thënë se në llogarinë e firmës që unë kisha hapur do të vinte një shumë nga Polonia si ndihmë nga një miku i tij pa i shpjeguar detaje. Pas kësaj ai ka tërhequr një shumë 9500 euro për t’ja dorëzuar Donaldit, por vuri re se në bankë ishin mbyllur 300 mijë euro dhe ai ka dyshuar. Por Donaldi i ka thënë se çdo veprim përmes bankës ishte i ligjshëm , dhe pas 3-4 ditësh i kërkoi të tërhiqte edhe 45 mijë euro.

Ai nuk ka shkuar që ti tërheqë po i ka dhënë tagër përfaqësimi donaldit pasi dhe paratë dhe firma ishin për të ndihmuar atë.

Në përfundim nga grumbullimi i rezulton se të gjithët të lart përmendurit kanë konsumuar veprën mashtrim dhe falsifikim kompjuterik .

Top Channel