Rama mbledh nesër socialistët/ Deputeti Bido në “Top Story”: Do të ketë qëndrim politik për mësimet e marra. Dudushi: Ja dy skenarët e kryeministrit Ashtu siç e lajmëroi vetë pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama po përgatit reflektimet e tij për protestën që vijon prej rreth dy muajsh në kryeqytet.
Thirrjet e protestës së 54 për dorëheqjen e tij, kreu i qeverisë i dëgjoi nga zyra e punës në Kryeministri, teksa përgatiste fjalimin. Vetë kryeministri ndan një video-mesazh nga zyra, ku shfaqet duke shkruar në kompjuter reflektimet e tij mbi protestën.
Ai njofton se qëndrimin e tij do ta bëjë publik të premten, në mbledhjen e përbashkët të qeverisë dhe grupit parlamentar socialist.
“Përshëndetje, nuk e di a e dëgjoni, kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar nesër fjalimin për mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe Qeverisë. Dhe desha të ndaj me ju një moment, se ky kor “Rama jepe dorëheqjen” më ekzalton.
Shihemi nesër paradite, nuk e di orën e saktë, mbledhja fillon në orën 9 e gjysëm. Do të ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën mbi bulevardin e flamingove, ai që ishte, se ky që ka mbetur është i sorrave dhe korbave”, thotë Rama.
Në video ai publikon një pjesë të fjalimit të tij, ku shihet qëndrimi më i butë i kryeministrit ndaj protestave. Ndryshe nga më parë, ku Rama theksonte se protesta po dëmton imazhin e vendit, tashmë për të kjo lëvizje nuk është kundër Shqipërisë, që u ndërtua gjatë tre mandateve të tij qeverisëse.
“Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve tona. Dhe këtu po flas posaçërisht për ata jo të paktë që ishin votues, mbështetës apo edhe anëtarë të Partisë Socialiste…”.
Në mbledhjen e qeverisë dhe të grupit parlamentar, që do të nisë të premten në 9.00, pritet nëse kryeministri Edi Rama do të njoftojë ndryshime në kabinet.
Top Channel