Një ditë përpara mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet nesër mes zhvillimeve politike të ditëve të fundit, në studion e emisionit “Top Story” u diskutua për reagimin e mazhorancës ndaj protestës së mbajtur sot para Parlamentit.
Deputeti i PS-së, Ardit Bido, lë të kuptohet se në mbledhjen e nesërme do të ketë një reflektim në lidhje me atë çka ndodh në protestë, teksa analisti Alban Dudushi shton se nuk pret të ketë ndryshime radikale në kabinetin e qeverisë.
Bido: Nuk e di nëse do të ketë ndryshime në qeveri, sepse është në dorën e kryeministrit. Nesër ajo çfarë pritet është një qëndrim politik i PS kundrejt mësimeve të marra, jo nga grupimi që ishte sot para parlamentit, por të atij grupimi të shoqërisë që janë qytetarë të zakonshëm të vendit që shprehën pakënaqësitë e tyre. E vetmja që mund ta bëjë këtë reflektim është PS. Po ashtu është edhe pjesa përmbyllëse e sesionit parlamentar, ky do të bëhet edhe një rezyme e punës së këtij sesioni. Padyshim do të ketë edhe një diskutim në lidhje me Reformën Territoriale.
Dudushi: Këtu ne vetëm mund të hedhim fall apo të vëmë baste nëse do të bëjë ndryshime në qeveri apo do bëjë vetëm ndryshime “kozmetike”. Në ka një sukses që e ka arritur protesta është se hapat e qeverisë duhet të bëhen në raport me protestën, jo më me opozitën. Edhe nesër ai do të flasë për protestën. Janë disa skenarë, por më e pabesueshmja është që ai të bëjë ndryshime radikale në qeveri, sepse thjesht do t’i acaronte, pasi ata kërkojnë “kokën” e tij. Kjo nuk besoj se do të ndodhë nesër. Rama edhe herën e fundit që foli për protestën ishte me nota pozitive. Kur protesta ishte në kulmin e vet, ai e sulmoi me terma si iranianët, etj. Mund të ketë një riformatim tani në mënyrë që të ruajë disa ekuilibra edhe brenda PS, që ndoshta nuk janë të dukshëm nga jashtë. Duhet të shikojë radhët e veta duke pasur parasysh se protesta mund të vazhdojë në shtator. Por ne themi një gjë dhe Rama na e nxjerr lepurin nga kapelja.
Top Channel