Ngriti në këmbë botën islame/ Vdes autori i karikaturave të Profetit Muhamed

19/07/2021 16:14

Artisti danez Kurt Westergaard, njeriu që me karikaturat e tij të profetit Muhamed ngriti në këmbë botën myslimane, ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare.

Të afërmit thanë se vdiq në gjumë, pasi kishte qenë i sëmurë prej disa kohësh. Westergaard qëndron pas 12 karikaturave të publikuara nga e përditshmja konservatore Jyllands-Posten me titullin “Fytyra e Muhamedit”, njëra prej të cilave shkaktoi zemërim në mënyrë të veçantë pasi e paraqiste profetin me një çallmë në kokë në formë bombe.

Mjaftoi ky vizatim për të mbjelle trazira të mëdha në botën islame në 2005-sën. Ai do të behej shkas edhe për masakrën ndaj revistës franceze Charlie Hebdo, ndërsa vetë karikaturisti u mor në mbrojtje nga shteti danez e vazhdimisht, i mbërrinin kërcënime për vrasje.

Ndonëse i shpëtoi për fije sulmit të një fanatiku, ky ateist i bindur nuk u thye e nuk ndryshoi kurrë mendim, ndërsa vazhdoi të angazhohej, siç thoshte, për lirinë e shtypit. Feja islame e ndalon rreptësisht riprodhimin e imazhit të profetit Muhamed.

Top Channel