Mykonos në izolim gjatë natës/ Masat në ishullin e famshëm grek në kulmin e sezonit turistik

18/07/2021 12:02

Në një moment kulmimi të sezonit të pushimeve verore në ishullin e famshëm të Mykonos, i quajtur edhe ishulli i erërave, qeveria greke ka shpallur aty mini lockdown-in e parë lokal të palajmëruar, si pasojë e rritjes së madhe të rasteve me koronavirus në ditët e fundit.

Rritja e barrës epidemiologjike në Mykonos ishte e tillë që vetëm këtë të premte u regjistruan 40 raste të reja, një katërfishim i infektimeve brenda vetëm një javë. Me këto të dhëna, Zv/ Ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias njoftoi rivendosjen e orës policore në ishull nga ora 1 e mëngjesit deri në orën 6, ndërsa ndalohet muzika në të gjithë lokalet prej orës 6 të mbrëmjes,masa që hyjnë menjëherë në fuqi deri në 26 korrik.

Për të gjithë ata që njohin jetën kozmopolitane të Mykonos, koncertet, baret dhe restorantet me cmimet e shtrenjta apo vizitoret e famshëm të tij, vendimi ishte sa i papritur aq edhe i papëlqyeshëm sidomos për autoritetet lokale dhe bizneset.

Por edhe 5 destinacione të tjera te njohura turistike kanë një rritje të rasteve si ishujt e Ios, Santorinit, Parosit dhe Kretës në qytetet e saj  Rethymno dhe Heraklion dhe nuk përjashtohen masa të ngjashme dhe për ta, në varësi të barrës epidemiologjike.

Gjithashtu në vendimin e qeverisë bëhet e qartë se ndalohen  kudo eventet e çfarëdolloj natyre me më shumë se 20 persona në ambiente personale dhe jo profesionale dhe ata që e shkelin këtë rregull do të paguajnë gjoba nga 50.000 deri ne 200.000 euro.

Gjithë partitë opozitare greke kanë reaguar duke e quajtur një dështim lockdown-in e parë lokal në ishullin simbol të turizmit vendas . Për vendimin e qeverisë greke ka reaguar edhe shtypi i huaj që thekson se megjithë këta ishuj para një muaji konsideroheshin si covid free për shkak se ishin të vaksinuar gjithë banorët ,tashmë ardhja e turistëve dhe mosrespektimi i rregullave ka çuar rastet aktive në mbi 300 për pesë ditë.

Ndërkohë që specialistët grekë këmbëngulin për intensifikimin e vaksinimeve, numri i rasteve ditore në të gjithë Greqinë mbetet ende i lartë mbi 2500, ndërsa për fat të mirë numri i viktimave dhe të intubuarve është ende i ulët.

Top Channel