Kosova kthen 11 fëmijë nga Siria/ Operacion edhe Maqedonia e Belgjika, Shqipëria vijon punën në terren

18/07/2021 19:32

Qeveria e Kosovës, ndihmuar nga ushtria amerikane dhe forcat kurde të sigurisë, ka realizuar me sukses operacionin e dytë humanitar të riatdhesimit të grave dhe fëmijëve të mbetur në kampet e Sirisë.

Mbrëmjen e të shtunës kanë mbërritur në Kosovë 11 fëmijë e një grua të cilët qëndronin në kampin Roj.

Dy vite më parë Kosova mundi të riatdhesonte 121 gra dhe fëmijë nga kampet e Sirisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, të Kosovës Xhelal Sveçla, tha se: “Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in.
Ministri Svelca theksoi se: “Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë thotë ai nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim.

Këtë zhvillim e përshëndeti edhe ambasada amerikanë në Prishtinë. “SHBA përgëzon riatdhesimin e djeshëm të qytetarëve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri. Këto kthime demonstrojnë gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësi për qytetarët e saj duke dhënë një shembull për të tjerët. Kosova është lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së.

Ndërkohë agjencia e lajmeve INA thotë se në Maqedoninë e Veriut janë kthyer 23 persona mes tyre gra dhe fëmijë.
Të shtunën edhe Belgjika realizoi një operacion të ngjashëm duke riatdhesuar nga kampet siriane 10 fëmijë dhe 6 gra.
“Për ne kthimi fëmijëve dhe siguria e tyre ka qenë prioritet” tha kryeministri belg Alexander de Croo.

Sakaq një burim në Ministrinë e Brendshme në Shqipëri i tha Top Channel, se pas riatdhesimit të Floresha Rashës tre fëmijëve të saj dhe Endri Dumanit, drejtoria e antiterrorit në policinë e shtetit, ka vijuar punën për të kthyer gratë dhe fëmijët e tjerë shqiptarë në kapet Al Hol dhe Roj.

Disa muaj më parë në funksion të këtij operacioni të dytë në Liban ishin ministri Bledi Cuci dhe drejtori drejtorisë së anti-terrorit Gledis Nano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA