George Russell ka regjistruar fitoren e tij të dytë sezonale në Formula 1, pasi dominoi Çmimin e Madh të Austrisë në pistën e Red Bull Ring.

Piloti i Mercedesit, i cili e nisi garën nga “pole position”, ruajti epërsinë nga fillimi deri në fund, duke mos u lënë asnjë mundësi rivalëve.

Në vendin e dytë u rendit kampioni në fuqi Max Verstappen me Red Bull, i cili zhvilloi një garë të qëndrueshme në pistën e ekipit të tij, ndërsa podiumin e plotësoi lideri i kampionatit, Kimi Antonelli.

Piloti i ri i Mercedesit hasi disa vështirësi në fazat e para të garës për shkak të problemeve me frenat, por arriti të mbrojë vendin e tretë dhe të marrë pikë të rëndësishme për renditjen e përgjithshme.

Me suksesin në Austri, Russell ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit të përgjithshëm të pilotëve, duke mbetur 40 pikë pas Antonellit, i cili vazhdon të kryesojë kampionatin.

McLaren pati një fundjavë me dy pamje. Oscar Piastri zhvilloi një garë solide dhe e mbylli në vendin e katërt, ndërsa Lando Norris nuk shkoi më shumë se pozicioni i shtatë.

Fundjava ishte zhgënjyese edhe për Ferrarin. Lewis Hamilton përfundoi i pesti, pas një dueli interesant me Verstappen gjatë mesit të garës, ndërsa Charles Leclerc e mbylli garën në vendin e tetë, larg pritshmërive të skuadrës italiane.

Mes dy pilotëve të Ferrarit u rendit Isack Hadjar me Red Bull dhe Lando Norris me McLaren. Dhjetëshen e parë e plotësuan Liam Lawson dhe Arvid Lindblad me Racing Bulls, duke siguruar një rezultat të shkëlqyer për skuadrën satelite të Red Bull në garën e zhvilluar në shtëpinë e ekipit austriak.

Top Channel