SHBA i refuzon vizën tifozit simbol të RD Kongos, në stadium shfaqet një figurë kartoni me portretin e tij
Revista satirike franceze Charlie Hebdo është përfshirë sërish në qendër të polemikave pas publikimit të kopertinës së numrit të saj më të fundit, e cila ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik.
Karikatura, e realizuar nga ilustruesi Félix, ironizon trajnerin e kombëtares franceze, Didier Deschamps, vetëm pak ditë pasi ai humbi nënën e tij, Ginette. Në vizatim, Deschamps paraqitet duke ngritur një urnë funerali me mbishkrimin “Mama”, në vend të një trofeu futbolli, ndërsa shoqërohet me mbishkrimin: “Didier Deschamps e merr kupën në shtëpi”, një referencë satirike ndaj këngës “Ramenez la coupe à la maison”, e cila u bë simbol i triumfit të Francës në Kupën e Botës 2018.

Publikimi ka shkaktuar një valë kritikash në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar kopertinën si “të neveritshme”, “të turpshme”, “çnjerëzore” dhe “pa respekt”. Sipas tyre, satira në këtë rast ka tejkaluar kufijtë etikë duke prekur dhimbjen personale të trajnerit francez.
Reagime nuk munguan as nga institucionet sportive. Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, dënoi karikaturën, duke theksuar se, megjithëse mbështet plotësisht lirinë e shprehjes, kjo nuk justifikon mungesën e respektit ndaj një personi që po përjeton humbjen e një familjari.
“Kjo karikaturë më tronditi. Ne kemi mbrojtur gjithmonë lirinë e shprehjes, por kjo kopertinë është e papërshtatshme dhe mungesë respekti ndaj një njeriu që ndodhet në një moment të vështirë të jetës së tij”, deklaroi Diallo.
Top Channel