Dy shqiptarë janë mes viktimave që shkaktuan përmbytjet katastrofike në Europë.
Çifti nga Peja jetonte në Gjermani. Trupi i pajetë i burrit është identifikuar, ndërsa gruaja është ende nën gërmadha.
Deri tani, 188 persona që kanë humbur jetën, por numri pritet të rritet, teksa uji largohet nga qytetet. Mbi 3000 persona rezultojnë të zhdukur.
Menjëherë pasi u kthye nga Uashingtoni, kancelarja gjermane Angela Merkel shkoi pranë zonave të prekura.
Ajo i përshkroi përmbytjet që kanë mbërthyer një pjesë të mirë të Europës, si tmerrësisht të rënda.
“Është e frikshme! Vështirë të gjej fjalët e duhura për të përshkruar këtë shkatërrim. Megjithatë, është mbreslënëse të shohësh njerëz që qëndrojnë së bashku, dhe ndihmojnë njëri-tjetrin”.
Merkel premtoi ndihmë financiare për të prekurit, ndërsa vizitoi Schuld, një fshat në perëndim të vendit, i shkatërruar nga përmbytjet e javës së kaluar.
“Fatmirësisht, Gjermania është një vend që mund ta financojë katastrofën. Gjermania është një vend i fortë dhe do të luftojmë këtë dhunë të natyrës në një periudhë afatshkurtër, por edhe në afatgjatë me një politikë që do të analizojë natyrën dhe ndryshimet e klimës në vitet e fundit”.
Kancelarja u ndal te ndryshimet klimaterike, ku thekoi se qeveritë duhet të punojnë më shumë për të reduktuar ndikimin e ngrohjes globale.
Te paktën 157 viktima numërohen në Gjermani, nga katastrofa natyrore më e rëndë e 6 dekadave të fundit.
Rrugët u kthyen në përrenj të furishëm, duke marrë para shtëpi, makina e pemë, ndërkohë që disa disa toka në Berchtesgadener Land janë zhytur nën baltë.
Tashmë që uji ka filluar të tërhiqet po shikohen dëmet reale të kësaj katastrofe.
Në një fabrikë çokollatash në Belgjikën lindore. Punonjësit po bëjnë bilancin e dëmeve, ndërsa kompania ka vendosur të mbyllë punën për një kohë të pacaktuar.
Reshjet e shirave kanë përfshirë edhe jugun Gjermanisë, Bavari, si edhe pjesë të Zvicrës Austrisë, Luksenburgut dhe Holandës.
Top Channel