Protesta masive u zhvilluan në disa qytete të Francës të shtunën për herë të dytë brenda një jave kundër kërkesës së re të qeverisë për certifikatën shëndetësore dhe vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Brendshme, në protesta morën pjesë rreth 114 mijë njerëz.
Mijëra protestues marshuan në Paris, Marsejë, Avignon dhe një gjysmë duzine qytete të tjera duke brohoritur dhe mbajtur pankarta ku shkruhej “Liri”, “Macron diktator”, “Macron jep dorëheqje”, “Jo pasaportës së turpit” dhe “Bojkoto pasaportën shëndetësore”.
Në Lyon policia arrestoi nëntë demonstrues kurse në Dijon ata hodhën gaz lotsjellës ndaj protestuesve për shkak të prishjes së rendit publik. Qindra demonstrues morën rrugën e shpejtë në pjesën juglindore të Chambery dhe bllokuan të dy drejtimet e trafikut për disa orë.
Në Lans-en-Vercors, në juglindje të Francës, një qendër vaksinimi u plaçkit dhe u vandalizua të shtunën në mëngjes. Grafie kundër vaksinimit ishin shkruar në mur, raportoi La Dauphine news. Autoritetet u zotuan se personat përgjegjës do të ndiqen penalisht.
Përfaqësuesit e zgjedhur gjithashtu janë kërcënuar nga aktivistë kundër vaksinës, ndërsa Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin drejtoi policinë lokale për të shtuar masat në mbrojte të tyre, njoftoi BFMTV.
Zemërimi i protestuesve ishte përqendruar në njoftimin e presidentit Emmanuel Macron këtë javë lidhur me shëndetin, dhënia e detajeve të testeve negative të PCR/antigjen dhe vaksinimi për të gjithë 12 vjeç e më lart që do të jetë i detyrueshëm për të gjitha ngjarjet dhe vendet publike të kohës së lirë dhe kulturës me praninë prej 50 ose më shumë njerëz. Deri në gusht, rregulli do të shtrihet në hapësira të mbyllura si restorante, kafene, bare dhe transport publik dhe në distanca të gjata.
Qeveria gjithashtu ka bërë që vaksinat të jenë të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e institucioneve të tilla si shtëpitë e të moshuarve, duke përfshirë gjobitje me humbjen e punës dhe pagës.
Masat e reja u prezantuan pas rritjes së rasteve me variantin Delta dhe rrezikut të një vale të katërt në gusht. Autoritetet kanë frikë për rritjen e rasteve, shtrime në spital dhe vdekje në javët e ardhshme nëse nuk arrihet imuniteti i tufës dhe gjithashtu planifikojnë të fusin detyrimin e vaksinimit për të gjithë deri në shtator nëse nuk arrihen qëllimet. Deri më tani, rreth 36,8 milionë njerëz, mbi 50 për qind e popullsisë së Francës, kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës.
Në 24 orët e fundit, Franca ka regjistruar 10.949 raste të reja COVID-19 dhe 16 vdekje, ditën e dytë me radhë që nga fundi i majit kur rastet ditore kaluan kufirin prej 10 mijë./AA/
Top Channel