“Vetting dhe për tenderat”/ Propozimi i ekspertëve: Abuzimet më të mëdha kur anashkalohet ligji

17/07/2021 19:42

Dobësitë e mëdha që ka sistemi i prokurimeve publike që nuk po arrijnë t’i zhbëjnë as ndryshimet e shpeshta ligjore janë shkaku kryesor për abuzimet që ndodhin me tenderat.

Ekspertja e fushës Aranita Brahaj shpjegon se legjislacioni lë hapësira të mëdha për shkelje dhe më problematike janë kontratat që lidhen duke anashkaluar sistemin e prokurimeve.

Shqetësuese aktualisht shton ajo janë procedurat tenderuese për rindërtimin.

 “Kontraktimet me ligje speciale ose kontraktimet me bazë ligjore që anashkalon ligjin për prokurimin publik janë defektet më të mëdha. Përgjegjësia është te vetë qeveria, te ministritë e linjës dhe Kuvendi që i jep mundësi këtyre kontratave të bëhen me ligj. Këto defekte kanë të bëjnë me mekanizmin e monitorimit. Nëse një tender ka problematika dhe kritere difektoze këtu nuk ka asnjë sistem që ka detyrimin ta monitorojë përpara se tenderi të hyjë në zbatim. Ne nuk kemi një sistem të vlerësimit të juristit që merret me prokurimet publike. Niveli i riskut dhe korrupsionit për shkak të sistemit që vlerëson automatikisht bazuar vetëm në 3-4 indikatorë është shumë i lartë”, tha Brahaj.

Edhe pse që prej janarit të këtij viti ka hyrë në fuqi ligji i ri për prokurimet, Brahaj vlerëson se ai nuk i jep fund zinxhirit të abuzimeve. Ajo propozon një reformë të thellë në prokurimet publike.

“Duhet një sistem vlerësimi për punonjësit e prokurimeve publike që të jetë automatik dhe në momentin që bëhet një marzh i caktuar gabimesh, ky person të humbasë të drejtën për të ushtruar detyrën e tij. Duhet të fillojmë me fajtorët që bëjnë ligje speciale. Sistemi i kontrollit duhet të funksionojë në APP, sistemi i vlerësimit të riskut të një tenderi. Duhet sistemi i vlerësimit të performancës së punonjësve të prokurimeve publike. Dikush që gabon dy herë ose është i paaftë ose i korruptuar. Duhet të largohet”, tha Brahaj.

Vetëm pak ditë më parë, vetë kryeministri Edi Rama teksa pranoi problemet me tenderat, tha se një pjesë e institucioneve nuk i kanë marrë parasysh rekomandimet e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Top Channel