Abazoviç përfundon takimin me Bashën, porosia nga selia blu: Mos u merrni me punë të kota dhe mos krijoni tensione!

16/07/2021 17:26

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur sot në selinë blu zv.kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Në fjalën e tij sapo ka dalë nga selia  demokratëve, Abazoviç tha se ky ishte takimi i fundit në nivel zyrtarësh që përmbyll vizitën e tij në Tiranë, ndërsa shtoi se tashmë do të takohet edhe me ulqinakët që gjenden në Durrës dhe më pas do niset për në vendin e tij.

Abazoviç tha se tashmë ka ardhur koha për një frymë të re europiane në të gjitha trevat shqiptare dhe theksoi se zyrtarët duhet të mundohen që të mos krijojnë situata që ngrenë tensione në vendet e tyre apo mes dy vendeve të ndryshme.

Abazoviç: Unë sot jam në vizitë zyrtare dhe jam krenar që jam zyrtari i parë që vij në Tiranë, por kam pasur qejf të takoj çdo subjekt që ka të bëjë me ndryshimin e Shqipërisë në të ardhmen.

Kemi biseduar gjëra konkrete. Besoj se koha është për një frymë të re europiane në të gjitha trevat tona. Institucionet nuk janë të gjitha funksionale në vendet tona, por pa marrë parasysh detyra jonë si qytetarë, kolegë, politikanë është të japim maksimumin si të fusim pak më shumë etikë në jetën politike.

Mos të merrmi me punë të kota, të mos ngremë elektricitet kot mes shteteve, apo brenda një shteti, mendoj se me Shqipërinë nuk ka asnjë pyetje që është e hapur. Unë do mundohem që të jap kontributin tim në Shqipëri. Jam i kënaqur dhe këtu përfundon vizita ime në Tiranë, ka mbetur edhe një vizitë te ulqinakët e mi në Durrës dhe këtu do përfundohet kjo ditë punë që ka qenë e suksesshme.

I kam ftuar të gjithë që ta vizitojnë Malin e Zi. Çdo kush është i mirëpritur. Mendoj se edhe sezoni turistik është nisur shumë suksesshëm në të dy vendet dhe kjo është një mënyrë për të ulur tensionet dhe të punojmë për të mirën e Shqipërisë dhe të Malit të Zi.

FOTO GALERI
1/20

Top Channel