Debate në Komisionin e Kulturës, Zhupa përplaset me socialistët: Rama e ka humbur shansin për dialog. Malaj: I vodhët kauzën studentëve Projektbuxheti i vitit 2027 është shoqëruar me debate në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë prezantuan opinionin e tyre për politikat fiskale të vitit të ardhshëm.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, kritikoi paketën fiskale, duke u ndalur veçanërisht te emigracioni, tkurrja e popullsisë dhe mungesa e mbështetjes për sektorët prodhues.
“Materiali që qeveria jep nuk adreson në mënyrë specifike absolutisht asnjë masë për të luftuar fenomenin e emigracionit dhe të tkurrjes së popullatës. Nuk ka asnjë masë për mbajtjen e të rinjve, për kthimin e emigrantëve apo për rritjen e pjesëmarrjes në punë”, deklaroi Bozdo.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e rritjes së pagave për disa kategori të rëndësishme të sektorit publik.
“Asnjë rritje page për mjekët, infermierët, mësuesit, pedagogët. Pikërisht kategoritë që emigrojnë”, u shpreh deputeti demokrat.
Bozdo ngriti shqetësimin edhe për financimin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe për rënien e prodhimit bujqësor dhe industrial.
“Për të pestin vit rresht prodhimi në sektorin bujqësor ka rënë, në terma absolutë. Për të tretin vit rresht prodhimi në sektorin industrial ka rënë. Pra, të gjitha produktet ‘Made in Albania’ po shkojnë drejt një tkurrjeje në mënyrë të frikshme dhe me shpejtësi të madhe”, tha ai.
Kritika pati edhe për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8 në 15%, për të cilin Bozdo u shpreh se dëmton mundësitë e bizneseve për të riinvestuar.
“Edhe pak fitim që ngelet për rikapitalizim apo riinvestim në mjete prodhimi, qeveria e merr dhe e fut në xhepin e vet”, deklaroi deputeti i PD-së.
Ai kërkoi gjithashtu një qëndrim më të qartë nga Banka e Shqipërisë për zhvlerësimin e euros dhe ndikimin e forcimit të lekut në konkurrueshmërinë e eksporteve.
Nga ana e saj, zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, paraqiti vlerësimin e institucionit për projektbuxhetin, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së disiplinës fiskale dhe vijimit të investimeve publike.
“Projektbuxheti i vitit 2027 ruan kahun konsolidues të politikës fiskale, çka rrit qëndrueshmërinë e financave publike, ndihmon kontrollin e presioneve inflacioniste dhe zgjeron hapësirat e reagimit të politikës sonë monetare”, u shpreh Ahmetaj.
Ajo nënvizoi gjithashtu se sfidat demografike dhe plakja e popullsisë kërkojnë reforma për garantimin e qëndrueshmërisë së skemës së pensioneve.
Debati u shoqërua edhe me një ndërhyrje të kryetares së Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, e cila i kujtoi deputetit demokrat rolin e Bankës së Shqipërisë në këtë proces.
“Banka nuk është përgjegjëse për projektbuxhetin, vjen për mendim. Mos ngatërroni me Ministrinë e Financave”, deklaroi Ekonomi.
Top Channel