Dokumentacioni tatimor ekzistues/ Do të vijojë deri në 31 gusht edhe pse ka nisur faza e dytë e fiskalizimit

14/07/2021 19:40

Megjithëse fiskalizimi ka nisur fazën e dytë më 1 korrik për 34 mijë biznese të gjithë vendin dhe shumë subjekte po bëheshin gati për sistemin e ri të faturimit, përdorimi i dokumentacionit tatimor ekzistues do të vijojë deri më 31 gusht 2021.

Përmes një njoftimi zyrtar, Administrata Tatimore sqaron se tatimpaguesit mund të bëjnë tërheqjen e dokumentacionit pranë Drejtorive Rajonale ku subjektet janë të regjistruara deri më datë 15 gusht 2021.

Subjektet që kanë implementuar fiskalizimin do të lëshojnë vetëm fatura të fiskalizuara e në rast të problemeve teknike që mund të ndeshin gjatë procesit, mund të pajisen pranë drejtorive rajonale për pajisjen me dokumentacion tatimor.
Vetëm pak ditë më parë Parlamenti miratoi Aktin Normativ për mosaplikimin e penaliteteve për bizneset për fiskalizimin deri në fund të këtij viti, e me gjithë lehtësitë kjo masë u cilësua e pamjaftueshme nga përfaqësuesit e biznesit të vogël e të mesëm që i qëndrojnë kërkesës së tyre për shtyrje të fazës së tretë të fiskalizimit.

Këto lehtësi vijnë në një moment kur Administrata Tatimore është e vendosur të çojë përpara reformën e fiskalizimit, duke e bërë të paqartë situatën për sipërmarrjen e cila prej fillimit ka kërkuar kohë për implementimin e këtij procesi, veçanërisht pas pandemisë Covid-19.

Faza e tretë e fiskalizimit biznes-konsumator për transaksionet me para në dorë pritet të nisë zbatimin më 1 shtator 2021.

Top Channel