Një përhapje infektimesh me Covid-19 është konfirmuar së fundmi në bordin e aeroplanmbajtëses së re britanike Queen Elizabeth, të lëshuar disa javë më parë me pompozitet në misionin e saj të parë.
Rrjeti shtetëror BBC thotë se infektimet në të kanë arritur në 100 raste, ndërsa të prekura janë gjithashtu disa nga luftanijet shoqëruese.
Ministri britanik i mbrojtjes Ben Wallace tha se i gjithë ekuipazhi i luftanijes ka marrë dy dozat e vaksinës Covid-19 dhe se përhapja e sëmundjes është nën kontroll.
Aeroplanmbajtësja Queen Elizabeth ka kryer tashmë çerekun e objektivave të misionit të saj të parë 28-javor, në krye të grupit sulmues.
Ajo gjendet aktualisht në Oqeanin Indian teksa marina britanike thotë se do të vazhdojë lundrimin e saj drejt Japonisë e Koresë më vonë gjatë vitit.
Ekuipazhi i saj arrin në 3,700 marinarë.
Një zëdhënës tha se masat kufizuese në bord përfshijnë maska fytyre, distancim shoqëror dhe një sistem mjekësor për ndjekjen e gjurmimin e rasteve.
“Gjatë testimeve rutinë të personalin, një numër i vogël anëtarëve të ekuipazhit kanë rezultuar pozitivë me Covid-19,” tha ai.
“Grupi i aeroplanmbajtëses do të vijojë me detyrat e tij operacionale dhe infektimet nuk do të kenë efekte në misionet”.
Edhe vitin e kaluar disa luftanije britanike u prekën nga infektimet, një prej të cilave u detyrua të braktiste misionin në Krishtlindje.
Aeroplanmbajtësja e re 3 miliardë paundëshe e Britanisë doli në deti në maj të këtij viti.
Top Channel