100 marinarë të infektuar në bordin e aeroplanmbajtëses së re britanike, me Covid-19

14/07/2021 20:52

Një përhapje infektimesh me Covid-19 është konfirmuar së fundmi në bordin e aeroplanmbajtëses së re britanike Queen Elizabeth, të lëshuar disa javë më parë me pompozitet në misionin e saj të parë.

Rrjeti shtetëror BBC thotë se infektimet në të kanë arritur në 100 raste, ndërsa të prekura janë gjithashtu disa nga luftanijet shoqëruese.

Ministri britanik i mbrojtjes Ben Wallace tha se i gjithë ekuipazhi i luftanijes ka marrë dy dozat e vaksinës Covid-19 dhe se përhapja e sëmundjes është nën kontroll.

Aeroplanmbajtësja Queen Elizabeth ka kryer tashmë çerekun e objektivave të misionit të saj të parë 28-javor, në krye të grupit sulmues.

Ajo gjendet aktualisht në Oqeanin Indian teksa marina britanike thotë se do të vazhdojë lundrimin e saj drejt Japonisë e Koresë më vonë gjatë vitit.

Ekuipazhi i saj arrin në 3,700 marinarë.

Një zëdhënës tha se masat kufizuese në bord përfshijnë maska fytyre, distancim shoqëror dhe një sistem mjekësor për ndjekjen e gjurmimin e rasteve.

“Gjatë testimeve rutinë të personalin, një numër i vogël  anëtarëve të ekuipazhit kanë rezultuar pozitivë me Covid-19,” tha ai.

“Grupi i aeroplanmbajtëses do të vijojë me detyrat e tij operacionale dhe infektimet nuk do të kenë efekte në misionet”.

Edhe vitin e kaluar disa luftanije britanike u prekën nga infektimet, një prej të cilave u detyrua të braktiste misionin në Krishtlindje.

Aeroplanmbajtësja e re 3 miliardë paundëshe e Britanisë doli në deti në maj të këtij viti.

FOTO GALERI
2/7
Luftanija 3 miliardë paundëshe u filmua së bashku me grupin shoqërues

Top Channel