Padia ndaj ambasadorit Soreca, reagon KE: Fushatë kundër delegacionit në Shqipëri, akuza të pabaza

13/07/2021 13:17

Pas padisë që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar bëri në SPAK ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, ka reaguar Komisioni Evropian. 

Zëdhënësi i KE, në një deklaratë nga Brukseli, i cilëson të pabaza akuzat e ngritura ndaj ambasadorit Soreca, duke thënë se ka një fushatë të drejtuar kundër delegacionit të BE në Shqipëri

“Duket se ka një fushatë të drejtuar kundër delegacionit të BE në Shqipëri, dhe më duhet të them se akuzat janë të pabazuara dhe dezinformuese. Liderët e BE kanë besim tek ambasadori Soreca dhe punën që ai po bën në Shqipëri. Soreca po bën punë të mirë në interes të BE, por edhe në interes të shqiptarëve, punë të mirë edhe në interes të marrëdhënieve Shqipëri-BE.

Ne vazhdojmë të mbështesim fort reformën në drejtësi në Shqipëri. I bëjmë thirrje aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë në Shqipëri të vijojnë zbatimin e reformës në përpjekjet e mëdha të Shqipërisë për të ndjekur reformën në drejtësi dhe Vettingun në gjyqësor, që po japin rezultatet e para të prekshme dhe nuk mund të ngadalësohen”, deklaron zëdhënësi i KE.

Top Channel