Një “armë” e re i është shtuar SPAK dhe BKH në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria nëpërmjet një VKM-je i jep qasje dy organeve të reja të drejtësisë në regjistrin e llogarive bankare, që administrohet nga Tatimet.
Punonjësit që gëzojnë statusin e oficerit të policisë gjyqësore me një kërkesë në Drejtorinë e Tatimeve mund të kenë në dorë transaksionet e llogarive bankare të çdo individi. Informacioni që ata do të marrin do të jetë i plotë dhe i pafiltruar, sipas vendimit.
Institucione të tjera që do të kenë qasje në këtë regjistër janë Shërbimi Informativ i Shtetit, Policia, Inspektorati Deklarimit të Pasurive dhe Prokuroria e Përgjithshme . Përfshirja e dy institucioneve të reja pritet ta bëjë më efektive luftën kundër pastrimit të parave. Regjistri sipas Tatimeve bën kryqëzimin më të shpejtë të informacionit dhe evidenton menjëherë transaksionet e dyshimta. Në këtë mënyrë paratë e individëve gjurmohen në kohë reale, ndërsa momentalisht institucioneve u nevojiteshin disa ditë për të marrë informacionin e dëshiruar.
Bizneset kanë pasur kundërshtimet e veta mbi këtë ligj mbi faktin se kush do të kishte akses në këtë regjistër që ekspozon të dhëna personale e individit, përpara personave të paautorizuar. Një tjetër kundërshtim është fakti se Tatimet mund të bllokojnë çdo transaksion që e cilësojnë si të dyshimtë pa vendim gjykate. Kjo është cilësuar si tejkalim kompetence, që fuqizon shtetin përballë individit.
Ministrja e Financave, Anila Denaj e ka mbrojtur nismën si një rekomandim që është bërë nga MoneyVal, institucioni europian kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sipas saj krijimi i Regjistrit për pronarët përfitues dhe ai për llogaritë bankare na afrojnë me legjislacionin e BE-së.
Top Channel