Dita e sotme është më e nxehta e kësaj jave, me temperatura mbi 41 gradë celcius, si pasojë e një vale të nxehti afrikan, por këtë herë afatshkurtër.
Shishja e ujit merr kaq vlerë në këto ditë përvëluese dhe këshilla e parë që japin mjekët dhe jo vetëm, është të konsumojmë sa më shumë ujë dhe lëngje frutash.
Xhentiljana Nazaj, mjeke: Kryesore është të shmanget e dala në kohën e pikut të rrezatimit, si për fëmijët ashtu edhe moshat e treta, nga ora 11 deri në orën 17-18 pasdite. Rekomandoj të vishemi lehtshëm, me ngjyra të hapura, me material pambuku. Është shumë e rëndësishme mënyra e të ushqyerit. Duhen mënjanuar proteinat, kryesisht kafeja, ëmbëlsirat. Të përdoren më tepër frutat, perimet, uji, çajrat. Të rregullojmë rehidrimin, të marrim sa më shumë lëngje, duke ditur që humbasim me djersitjen, dhe normalisht ekspozimi në rrezet e diellit shoqërohet kryesisht me dehidratim.
Të sëmurët kronikë që japin më shumë problematika nga ekspozimi I zgjatur në diell janë të sëmurët kardiakë. Kemi patur raste me luhatje hipertensioni, rritje ose zbehje të rrahjeve të zemrës. Janë të sëmurët diabetikë dhe të sëmurët që vuajnë nga veshkat që kanë insufiçence renale.
“Jashtëzakonisht vapë po bën. Po e përballojmë duke konsumuar ujë çezme, me ushqime të zakonshme si zarzavatet, mishin nuk e hamë shpesh, gjëra freskuese, gjëra të lehta, gjërat që na thonë doktorët.
Unë nuk dal në vapë se jam me zemër, por sot erdha në ambulancë, sepse doja të bëja vaksinën.
Fëmijët mundohem t’I mbaj freskët, me lëngje, vitamina”, shprehen qytetarët.
Juli Ristani
Top Channel