“Kreditë me probleme mund të rriten 10%”/ BSH: Efektet e pandemisë mund të shtrihen deri në fund të vitit

06/07/2021 19:42

Efektet e pandemisë duket se do të shtrihen për një periudhë afatgjatë në ekonomi, duke përfshirë edhe sektorin bankar.

Banka e Shqipërisë parashikon që raporti i kredive me problem të rritet në 10% në fund të këtij viti, pas një periudhe të gjatë në nivele të qëndrueshme si rrjedhojë e masave lehtësuese që banka ndërmori vitin e kaluar përmes një moratoriumi 6-mujor për shtyrjen e kësteve të kredive.

E në fakt, këto masa të përkohshme që adresonin nevojat e huamarrësve të prekur nga pasojat e krizës së Covid-19 biznese a individë, bëri që niveli i kredive me probleme të arrinte në 8.11% në fund të vitit 2020.

Të njëjtin trend në rënie ka ndjekur ky tregues edhe përgjatë pjesës së parë të këtij viti pasi sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në fund të prillit, raporti i kredive të këqija arriti në 7.88%.

Sipas raportit të bankës qendrore, gjatë vitit të kaluar treguesi i kredive me probleme për segmentin e individëve që u goditën më shumë nga kriza shënoi rritje pasi të ardhurat e shumë prej tyre u kufizuan si rrjedhojë e humbjeve të vendeve të punës.

E kundërta ka ndodhur me bizneset, pasi kreditë me probleme për këtë segment shënuan rënie për shkak të mundësive më të mëdha financiare të sipërmarrjeve për të menaxhuar situatën e vështirë.

Sa i takon ndarjes së kredive të këqija sipas monedhës, rezulton që vitin e kaluar portofoli i huave me probleme në lekë paraqet një tregues më të ulët krahasuar me atë në valutë.

Top Channel