4 Korriku, bilanc lufte/ 150 të vrarë në 400 episode me armë gjatë fundjavës së Pavarësisë në SHBA

06/07/2021 18:25

Autoritetet amerikane raportuan sot se bilanci i viktimave aksidentale dhe te qellimshme gjatë festimeve të Ditës së Pavarsisë më 4 korrik ishte te pakten 150 të vrarë në rreth 400 episode me të shtëna armësh në të gjithë vendin, shkruan CNN.

Të dhënat përfshijnë numrin e incidenteve me armë dhe dhunën gjatë 72 orëve të fundjavës festive nga e premtja deri të dielën, dhe sipas raportimeve numërimi ende nuk ka përfunduar.

Në New York, dhuna e armëve është rritur në nivele të papara prej vitesh, me 26 viktima nga 21 episode me armë nga e premtja deri të dielën, njoftoi policia.

Më 4 korrik qyteti pati 12 incidente me armë dhe 13 viktima, në rritje nga viti i kaluar kur u regjistruan vetëm tetë viktima.

Në Chicago, policia tha se i sivjetshmi kishte qenë “viti më sfidues” për policinë pasi 83 njerwz u qëlluan me armë, mes të cilëve 14 mbetën të vrarë, sipas raportimit të CNN nga të dhënat e Policisë së Chicago.

Mes të plagosurve ishte një vajzë 5-vjeçare dhe një vajzë 6-vjeçare.

Dy oficerë të policisë së Chicago u plagosën kur një individ hapi zjarr ndaj oficerëve që po shpërndanin një turmë prej disa qindra njerëzish, ku u bënë rreth 60 arrestime.

Në qytetin Atlanta u vra lojtari profesionist i golfit Gene Siller, teksa autori i vrasjes është ende në kërkim. Dy të qëlluar të tjerë me armë u gjetën në vendin e ngjarjes.

Policia në Cincinnati, Ohio, tha se dy të rinj, 16 e 19 vjeçarë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën gjatë festimeve të pavarësisë në një park mbrëmjen e të dielës. Ata kishin nisur një argument me fjalë mes tyre që më pas çoi në shkëmbim zjarri mes dy palëve.

Në Dallas, policia ishte përgjigjur ndaj dy incidenteve me armë më 4 korrik ku pesë persona u qëlluan me armë, tre prej të cilave u shpallën të vdekur në spitalin e zonës.

Një 61 vjeçar u vra në një tjetër incident pasi sipas policisë “u qëllua disa herë gjatë një trazire në rrugë,” sipas policisë së Dallas.

FOTO GALERI
4/5
Policia në Cincinnati, Ohio, tha se dy të rinj, 16 e 19 vjeçarë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën gjatë festimeve të pavarësisë në një park mbrëmjen e të dielës

Top Channel