Lideri i prapavijës italiane, Leonardo Bonucci ishte në krah të Roberto Mancinit në konferencën për shtyp, ku vlerësoi maksimalisht Spanjën, por tha se Italia synon finalen, për t’ia dedikuar Spinazzolës së dëmtuar në ndeshjen me Belgjikën.
“Nuk ka favoritë, pasi luajmë ndaj një kundërshtari si Spanja dhe jam i bindur që të gjithë futbollistët në fushë duan at fitojnë ndeshjen e të shkojnë në finale. Do të bëjmë maksimumin për të arritur në finale, pasi duam të bëjmë krenarë italianët dhe t’ia dedikojmë Spinazzolës, që u operua sot”, deklaroi Bonucci.
Në çerekfinale u përball me një sulmues si Romelu Lukaku, ndërsa tani ndaj Spanjës do të gjejë si kundërshtar Alvaro Moratën, të cilin e ka edhe shok skuadre te Juventusi, megjithatë Bonucci nuk e fsheh habinë për kritikat ndaj sulmuesit spanjoll.
“Si Lukaku, ashtu edhe Morata janë dy sulmues të mëdhenj, por në këtë fazë të gjithë sulmuesit dhe përfaqësueset janë shumë të forta. Jam i habitur me kritikat ndaj Moratës, pasi të gjithë i dimë vlerat e tij në fushën e lojës, gjithsesi shpresoj të mos i tregojë nesër ndaj nesh”, deklaroi mbrojtësi italian.
Top Channel