Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë pragun brenda listës duke mundësuar hapjen e listave 100 përqind. Ky vendim i Kushtetueses eliminon pengesën e herësit që një kandidati i duhet për të kapërcyer në pjesën fituese të listës, pasi mundëson renditjen e thjeshtë të kandidatëve për deputet nga ai që merr më shumë vota deri tek ai më pak i pëlqyer.
Kryetari i Partisë “Lëvizja Demokratike”, Myslym Murrizi, i cili paditi në Gjykatë Kushtetuese cështjen e herësit ka folur në “Top Talk” për pasojat dhe pritshmëritë. Murrizi përmendi faktin që nuk ka reaguar as Rama, as Basha duke thënë se ka heshtje varri për këtë vendim të Gjyykatës Kushtetuese.
“Ligjërisht është një goditje ligjore e pazarit të pistë prej 13 vitesh e dy forcave kryesore politike, PS, PD që me 21 prill të 2008 mbyllën në mënyrë hermetike listat dhe i hoqën të drejtën e zgjedhjes me votë qytetarëve shqiptare kandidatët e tyre. Si nismëtar i mbledhjes së 28 firmave për ndryshimet kushtetuese dhe si palë në marrëveshje me grupin mazhoritar të PS u ndjeva i tradhtuar në mos implementimin e asaj që kisha sanksionuar në Kushtetutë në Kodin e ri Zgjedhor.
Si kryetar i partisë Lëvizja Demokratike, i qëndrova me këmbëngulje asaj çka kisha deklaruar në seancë që do ta padis në Gjykatë Kushtetuese sepse herësi është antikushtetues i hapur me atë që sanksionohet në nenet 64 dhe 68 në ndryshimet kushtetuese, të cilët pazarlit e prillit të 2008 e kishin sanksionuar në Kushtetutë listën e mbyllur. E prishën në Kushtetutë dhe këta të dakordësuar nën sinkron të plotë me njëri-tjetrin dhe kjo duket edhe këto 24 orë që as Rama, as Basha nuk bëjnë “zë” dhe përshëndesin çdo lloj vendimi dhe për kanalet kulluese, jo të Gjykatës Kushtetuese, ka heshtje varri. Biles dje pasdite ka pasur vërshim telefonatash që a do t’i japë Gjykata Kushtetuese për këtë parlament sepse ka edhe kjo interpretim. Do të shohim kur të zbardhet vendimi i plotë”, tha Murrizi.
Në vendim, thuhet se trupa e gjyqtareve e ka vlerësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën parashikimin që legjislativi ka bërë në nenin 163 të Kodit Zgjedhor, ku thuhet se një kandidati të renditur në pjesën jo fituese i nevojiten jo me shumë se 10 mijë vota për të fituar mandatin e deputetit.
Nëse Gjykata do kishte folur para zgjedhjeve, kandidatët socialist Pandeli Majko dhe Mimi Kodheli dhe ato demokrat Ivi Kaso dhe Agron Kapllanaj do të ishin pjesë e Parlamentit te ri.
Gjykata Kushtetuese u shpreh në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka shpërndarë mandatet e deputeteve të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit. Vendimi nuk prek rezultatin, por i lë detyre Parlamentit te ri të përgatisë amendamentet ligjore që në zgjedhjet e ardhshme listat të hapen 100% në mënyrë që votuesi të ketë mundësi te dërgojë në Kuvend kandidatin e preferuar dhe jo atë të përcaktuar nga kryetari.
Politika e vuri në provë e para Gjykatën Kushtetuese pasi ajo u bë funksionale. Bindja Demokratike e Astrit Patozit dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare, goditen në Gjykatë Kodin e ri Elektoral, por betejën për hapjen 100 përqind të listave e fituan kur zgjedhjet u mbyllën. Në të njëjtën ditë e njëjte trupë gjykuese rrëzoi kërkesën e aleatëve të Lulzim Bashës të cilët kërkonin që partitë politike te financohen në bazë të numrit ne total të votave që marrin në zgjedhje edhe nëse ato nuk kanë prodhuar asnjë mandat deputeti.
Top Channel