Aksioni për lirimin e hapësirave të rërës në plazh ka nisur që prej mëngjesit të sotëm, nga veriu në jug të Shqipërisë. 

Të organizuar në dy grupe pune, aksioni ka nisur nga Ura e dajlanit dhe te Përroi i Agait, pranë Shkëmbit të Kavajës. Deri tani janë verifikuar 3 subjekte që shfrytëzonin pa leje brezin ranor në Durrës.

Këtyre subjekteve po u sekuestrohen çadrat e shezlongët. Një pjesë e subjekteve të gjetura në shkelje, jashtë mikrofonit deklarojnë se kanë aplikuar në e-Albania prej 2 muajsh por nuk kanë marrë ende përgjigje.

Aksioni policor për lirimin e hapësirave publike në plazhet e Durrësit vjen një ditë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë konferencës së djeshme, Rama  lajmëroi do të ketë forca policie që do të konfiskojnë çdo objekt nëse bizneset nuk i kanë dokumentacionet në rregull.

“Një gjë është e padiskutueshme ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir  ose pahir. Dua t’i bëj thirrje të gjithë atyre që s’janë në rregull më dokumentacionin meqë kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që të largohen nga sipërfaqet që s’u takojnë me ligj e me rregull policia do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë çdo çadër, shezlong apo çdo strukturë tjetër.

Subjektet private duhet të jenë të përfshira në garantimin e sezonit turistik. Është shumë e qartë nga pikëpamja financiare se kjo skemë e re e administrimit të plazheve ka krijuar më shumë të ardhura dhe më shumë hapësira për qytetarët  që nuk duan të jenë pjesë e hapësirave që nuk administrohen nga privati. Subjektet që nuk janë aty ku janë vendosur duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin edhe atë bazë material që kanë siguruar për biznesin e tyre sepse do t’u merret e s’do t’u jepet më”, tha Rama.

Aksioni policor në Velipojë

Edhe në plazhin e Velipojës, policia e Shkodrës së bashku me përfaqësues të pushtetit vendor, dolën sot për verifikimin e lejeve për hapësirën e shezlongëve.

Hapësira e plazhit u bë shkak i vrasjes së katër personave në Velipojë, mesnatën e 27 qershorit.

Biznesmeni Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit  Xhovani Gocaj, dhe Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit, 20-vjeçari që sapo kishte nisur punën, Myzerim Zeneli.

Aksioni policor në Shëngjin

Deri më tani, në Shëngjin nuk janë gjetur shkelje. Kanë qenë vetëm dy subjekte pa leje, të cilët i kanë hequr vetë shezlongët nga rëra.

Aksioni policor në Vlorë

Nga puna për lirimin e plazheve publikë në Vlorë, drejtoresha e aseteve publike, Sonel Haxhiraj tha se deri tani janë miratuar paraprakisht 153 subjekte.

“Pasi marrin miratimin në parim, nga GTSHA pranë Ministrisë së Turizmit, subjektet duhet të drejtohen pranë drejtorisë Vlorë, me mandat pagesën. Më pas, do të njoftohen nga agjencia kombëtare e bregdetit për të dorëzuar këto dokumente, së bashku me kontratën e vëzhguesit të plazhit për të përfunduar procedurën e lidhjes së kontratës”.

Aksioni policor në Pogradec

As liqeni i Pogradecit ‘nuk i shpëtoi’ aksionit, por duket se pogradecarët janë më të rregullit me ligjin.

Sipas policisë, deri tani janë kontrolluar 24 subjekte dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje. Bizneset në qytetin juglindor janë të pajisura me lejen përkatëse.

FOTO GALERI
4/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA