Ministrja Kushi me oficerët e sigurisë në shkolla: Bashkërendim me të gjithë aktorët për të parandaluar dhe luftuar  fenomenet negative sociale tek nxënësit

30/06/2021 16:50

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë  Evis Kushi dhe Drejtori i Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) Gerti Janaqi kanë zhvilluar një bashkëbisedim me oficerë të sigurisë të shkollave të ndryshme të vendit.

Në fokus të takimit ishte njohja nga afër me nevojat kryesore që oficerët e sigurisë kanë në punë dhe shtyrja përpara e kontributit të tyre në krijimin e ambienteve miqësore e të sigurta përmes marrëdhënieve të qëndrueshme me nxënësit, stafin e shkollës, prindërit dhe mbarë komunitetin.

Ministrja Kushi i falënderoi fillimisht oficerët e sigurisë për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë përgjatë pandemisë dhe u shpreh se ata janë të përzgjedhur si profesionistë shumë të mirë, janë trajnuar dhe trajnohen në mënyrë të vazhdueshme që të menaxhojnë dhe parandalojnë situata të ndryshme rreziku.

Ajo theksoi rëndësinë e bashkërendimit të punës me të gjithë aktorët e përfshirë në mënyrë që të krijohet sinergjia e nevojshme me stafet shkollore, komunitetin, prindërit dhe institucionet e tjera.

“Nëse kemi bashkërendim dhe bashkëpunim, atëherë rriten më shumë shanset që ne ta kryejmë me sukses këtë funksion dhe të minimizojmë sa më shumë të jetë e mundur fenomenet sociale negative që i kemi në shkollat tona”, tha Kushi.

Ndërkohë, Drejtori i ASCAP Gerti Janaqi cilësoi faktin se do të ngrihet një rrjet profesional i oficerëve të sigurisë, i njohur dhe i certifikuar nga MASR, i cili do të ketë një metodologji të mirëfilltë pune dhe do të vijojë me trajnime të vazhdueshme që plotësojnë nevojat e përditshmërisë së oficerëve të sigurisë.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA