Korea e Veriut më në fund pranon pandeminë/ Kim Jong un shkarkon zyrtarët e Byrosë Politike prej krizës (fotot)

30/06/2021 15:41

Kim Jong un ka bërë sot shkarkime të zyrtarëve të lartë në lidhje me atë që quajti “neglizhencë që shkaktoi një krizë me pasoja të rënda”, duke iu referuar pandemisë së Covid-19 në vend, megjithse nuk përmendi shprehimisht emrin e saj.

Diktatori i Penianit shprehu kritika të ashpra ndaj zyrtarëve të tij të partisë komuniste, duke sinjalizuar se mbrojtja e vendit ndaj Covid ishte thyer.

Kim dënoi zyrtarët e lartë për ato që quante “nënvlerësim i detyrave të tyre që shkaktuan krizën e sigurisë së shtetit dhe mirëqenies së popullit, me pasoja të rënda për vendin”.

Kim – vetë shëndeti i të cilit ka qenë objekt spekulimesh të shumta ditët e fundit në Perëndim pas një humbjeje të konsiderueshme në peshë – tha sot se “mungesa e aftësisë dhe papërgjegjësia kishin penguar punë të rëndësishme duke shkaktuar pasivitet dhe vetë-proteksionizëm”.

Agjencia veriore e lajmeve ‘Korean Central News Agency’ (KCNA) nuk detajonte më tej se kujt shkeljeje i referohej lideri, apo sa dhe cilët zyrtarë ishin shkarkuar.

Deri tani Korea e Veriut kishte raportuar zero raste me koronavirus, por ekspertët kishin thënë se shifrat janë të vështira për t’u besuar.

Vendi i varfëruar ka një sistem të dobët shëndetësor dhe mungesë të theksuar furnizimesh mjekësore për t’u përballur me një përhapje të gjerë epidemike.

Dezertori verior Ahn Chan-il tha për agjencinë AFP se raportimi i KCNA “pranonte rastet e konfirmuara të koronavirusit në Korenë e Veriut”.

“Fakti që Byroja Politike diskutoi këtë çështje dhe KCNA e publikoi, sinjalizon se Peniani është në nevojë për ndihma ndërkombëtare”.

Që prej nisjes së pandemisë mediat e Koresë së Veriut kanë theksuar shpesh rëndësinë e masave të parandalimit të pandemisë.

Në një paradë ushtarake në tetor, Kim falenderonte popullin e tij për përpjekjet dhe mbrojtjen nga “virusi i lig”, por analistët hedhin dyshime për pohimet e tij.

FOTO GALERI
2/7
Diktatori i Penianit shprehu kritika të ashpra ndaj zyrtarëve të tij të partisë komuniste, duke sinjalizuar se mbrojtja e vendit ndaj Covid ishte thyer.

Top Channel