Ekonomia u rrit me 5.5 për qind/ Rritja më e madhe nga prodhimi i energjisë, minierat dhe nafta

29/06/2021 15:32

Ekonomia shqiptare po rimëkëmbet me shpejtësi, duke reflektuar edhe elasticitetin e saj përballë krizave. Sipas Institutit të Statistikave Prodhimi i Brendshëm Bruto u zgjerua ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit duke u rritur me 5.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2020, kur pandemia sapo ishte përhapur në vend dhe ekonomia u tkurr me -2.5%.

Me këtë normë rritje, ka tejkaluar edhe nivelet e parakrizës pasi në të njëjtën periudhë të 2019-ës ekonomia shënonte një rritje prej 2.2%.

Degët që kanë dhënë kontributin më të madh në përshpejtimin e rritjes ekonomike janë industria nxjerrëse e përpunuese, si dhe energjia elektrike si rrjedhojë e reshjeve të shiut, duke rritur ndjeshëm prodhimin në pjesën e parë të vitit.

Edhe sektorët e tjerë kanë shfaqur një përshpejtim krahasuar me vitin e kaluar, ku ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të apluatjshme po rrisin gjinjtë e më shumë kontributin e tyre në ekonomi, përkatësisht me 1.09% dhe 0.58%.

Më ngadalë po rikuperohet tregtia, transporti dhe akomodimi pasi edhe këtë tremujor kanë shënuar rënie me 0.14%, duke ndikuar negativisht në ecurinë e ekonomisë. Një rënie e pritshme në kushtet e kufizimeve të pandemisë, pasi shumë biznese që operojnë në këto degë zhvillojnë aktivitetin e tyre të limituar.

Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara nga Instat ecuri pozitive ka shënuar edhe konsumi final i popullatës gjatë pjesës së parë të vitit që përbën edhe peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi me një rritje prej 1.49% si dhe ai i qeverisë prej 5.1%.
Vlerësimet e qeverisë janë tejet optimiste për ecurinë e ekonomisë dhe pritshmëritë e ekzekutivit janë që rritja ekonomike të prekë nivelet e 5.5% këtë vit.

Top Channel