Katër të vdekur nga rënia e ballonit me ajër të nxehtë në New Mexico, SHBA (fotot)

26/06/2021 21:02

Katër njerëz kanë vdekur dhe një i pestë është në gjendje të rëndë nga përplasja e një balloni me linjat elektrike në New Mexico, SHBA.

Koshi ku qëndronin pasagjerët u shkëput nga balloni dhe u përplas në tokë, njoftuan autoritetet.

Dëshmitarët përshkruanin sesi kishin parë ballonin e shfryrë të binte përtokë, në incidentin qe gjithashtu kishte ndërprerë energjinë elektrike për më shumë se 13,000 njerëz në zonën e Albuquerque.

Autoritetet thanë se koshi i ballonit kishte rënë nga rreth 30 metra lartësi, duke u përplasur në një rrugë, para se të merrte flakë.

Në aksident vdiqën dy burra, përfshi dhe pilotin, dhe dy gra.

Joshua Perez, ishte në zonë kur dëgjoi përplasjen. Ai kishte nxituar në skenë bashkë me një person tjetër dhe kishin ndihmuar të mbyllnin serbatorin e gazit propan. Ai u tha mediave se asnjë nga njerëzit në kosh nuk lëviznin.

“Të shohësh një ballon që bie kështu, është pikëlluese”, tha ai.

Në aksidentin më vrasës të kësaj natyre në SHBA humbën jetën 16 njerëz në 2016, dhe prej atëhere autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për turizin e ballonave.

Në të tjera incidente me ballonat, tre turistë brazilianë u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën kur dy ballona u përplasën në rajonin turk Cappadoçia ne maj 2013.

Në shkurt 2013 në Luxor të Egjiptit një ballon me ajër të nxehtë mori flakë duke vrarë 19 turistë të huaj.

Në gusht 2012 gjashtë njerëz vdiqën dhe 26 u plagosën kur një ballon mori flakë në kryeqytetin slloven Ljubljana.

Në janar 2012 një ballon goditi linjat elektrike dhe shpërtheu në Zelandën e re, para se të binte duke vrarë të gjithë 11 personat në bord.

Katër turistë holandezë u vranë në tetor 2009 kur një ballon turistik mori flakë në Kinë.

Në gusht 2001 një ballon preku linjat elektrike në jug të Francës duke vrarë gjashtë njerëz./BBC

FOTO GALERI
2/5
Koshi ku qëndronin pasagjerët u shkëput nga balloni dhe u përplas në tokë, njoftuan autoritetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA