Studentëve ju ofrohet punë/ Panair pune në universitetin “Aleksandër Moisiu”

25/06/2021 15:24

Rreth 150 biznese kryesisht nga Durrësi dhe Tirana paraqitën ofertat e tyre në “Panairin e Punës dhe të Karrierës”, që u organizua për herë të parë në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Në përgjigje të një tregu pune shumë dinamik dhe nevojës së studentëve për t’u orientuar drejt tij dhe lidhur kontratat e para, Fakulteti i Biznesit ndërmori këtë nisëm që u mirëprit nga bizneset dhe studentët.

“Shumë të vlefshëm e gjeta, këtë panair pasi po më mundëson një vend pune”, thotë kjo studente që sapo ka nënshkruar një kontratë 6-mujore me një nga filialet e bankave në vend.

“Kam mbaruar për financë-kontabilitet dhe kjo është një mundësi shumë e mirë punësimi pse jo dhe në drejtim të marketingut. Shkolla jonë dhe kjo marrëveshje me kompaninë na jep shumë mundësi të mira të punësohemi realisht në treg e jo të ngelet në fjalë.”

Qindra studentë morën informacion në stendat e kompanive të ndryshme, institucioneve publike dhe organizatave për t’u njohur me mundësitë e ofruara për praktika profesionale dhe punësim.

“Ishte përtej çdo pritshmërie dhe u bë i mundur nënshkrimi i disa marrëveshjeve, ndërsa u punësuan 2 studente në dy biznese të rëndësishme dhe vazhdon intervista e studentëve të tjerë. Oferta për vende pune e paraqitur sot është për 300 vende pune në profile të ndryshme, si menaxhim, hoteleri, turizëm, financë etj.

– Sa i përgjigjet fakulteti dinamikës së tregut të punës?

“Ndaj do të zhvillohet forumi akademik për të përshtatur kurrikulat në përputhje me kërkesat e punës në mënyrë që studentët t’i përgjigjen tregut si nga ana teorike dhe praktike.”

Duke studiuar tregun dhe përshtatur kurrikulat studimore, Universiteti i Durrësit synon të përgatisë studentë sa më konkurrues dhe të lehtësojë kalimin e tyre nga auditorët drejt tregut të punës, ndaj organizimi i panaireve të tilla, që të orientojnë drejt tij dhe karrierës, pritet të kthehet në traditë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA