Përkthyesja e Pentagonit burgoset 23 vjet për zbulimin e informatorëve të sulmit ndaj gjeneralit (fotot)

25/06/2021 19:26

Mariam Thompson është dënuar me 23 vjet burg për kalimin e emrave të informatorëve të SHBA në Irak, te një burrë me lidhje me organizatën e fuqishme libaneze Hezbollah.

62 vjecarja Mariam Thompson ka pranuar kalimin e informacioneve të klasifikuara te një qytetar libanez, duke e ditur se po i kalonte te grupi musliman Shia që është shpallur “organizatë terroriste” nga Uashingtoni.

“Dënimi i Thompson reflekton masën e rëndë të thyerjes së besimit prej saj, të burimeve njerëzore që vuri në rrezik, ashtu si dhe të trupave, miqve e kolegëve që punonin pranë saj,” tha John Demers, kreu i sigurisë kombëtare në departamentin e drejtësisë.

“Ky rast duhet të shërbejë si një kujtesë për ata të cilëve u besohen informacione të sigurisë kombëtare dhe i zbulojnë ato për përfitim personal apo arsye të tejra, që është një sjellje egoiste e kriminale”, shtoi  kreu i kundër-inteligjencës në FBI, Alan Kohler Jr.

Sipas dokumenteve Thompson, qytetare amerikane e lindur në Liban, punonte si përkthyese në një bazë të huaj ushtarake, ku në vitin 2017 nisi një marëdhënie romanike me një burrë që i tregoi se ishte i lidhur me grupin  musliman libanez Hezbollah.

“Me kalimin e kohës Thompson krijoi një interes romantik ndaj bashkë-konspiratorit të saj”, tha departamenti i drejtësisë.

Thompson ishte caktuar me forcat amerikane në Erbil, kryeqyteti i rajonit kurd të Irakut, në dhjetor 2019 dhe kishte akses sigurie të nivelit të lartë.

Asokohe njësia e saj po kryente sulme kundër grupit militant pro-iranian Kataib Hezbollah, të cilat përfunduan më 3 janar 2020, me vrasjen e gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani gjate nje vizite ne Irak, si dhe të Abu Mahdi al-Muhandis, kreut të Kataib Hezbollah, sipas SHBA.

Pas ngjarjes së bujshme të 3 janarit 2020, ku u vra Gjeneral Qassem Soleimani, si dhe Abu Mahdi al-Muhandis, kontakti i Thompson i kërkoi asaj informacion mbi personat që kishin ndihmuar SHBA të realizonte sulmet.

Gruaja kaloi të dhënat për informatorët e SHBA, mes të cilëve dhe emrat e vërtetë të tetë kontakteve sekrete, si dhe të dhëna mbi taktikat dhe objektivat e SHBA në rajon.

Thompson ka pranuar se e dinte se informacionet do të kalonin te grupi Hezbollah.

Ajo ishte arrestuar një muaj më vonë nga autoritetet, në shkurt 2020.

Thompson tha se kishte rënë në dashuri pasi ishte “e dëshperuar në moshë të kaluar” dhe nuk kishte si qëllim të lëndonte dikë.

“Desha dikë që të më donte në moshën time të kaluar, në ato momente harrova se cila isha,” citohet të ketë thënë Thompson nga Washington Post.

FOTO GALERI
2/4
Asokohe njësia e saj po kryente sulme të cilat përfunduan më 3 janar 2020, me vrasjen e gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani ne Irak

Top Channel