Shkëputja e një pjese muri nga fasada e një pallati të dëmtuar prej tërmetit këtë të enjte në Durrës fatmirësisht  shkaktoi vetëm dëme materiale. Ngjarja ndodhi në lagjen 5, një nga zonat me shumë objekte banimi të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Shkëputja e inerteve nga pallati dëmtoi një automjet të parkuar në rrugën poshtë objektit, ndërsa vetëm fati e ka ndihmuar një qytetar që po kalonte aty në atë moment. Në Durrës ka shumë pallate të dëmtuara rëndë në fasada dhe që përbëjnë rrezik për sigurinë e qytetarëve që lëvizin normalisht pranë tyre, pasi nuk është vendosur asnjë perimetër sigurie përreth tyre ndërsa katet e para  përdorien edhe nga subjekte të ndryshme që ofrojnë shërbime.

Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi rreth 850 pallate në Bashkinë e Durrësit dhe një pjesë e tyre është dërguar për ekspertizë të thelluar për vlerësimin real të dëmeve të pësuara. Banorë të një prej këtyre pallateve protestuan para bashkisë

“Kemi 1 vit e gjysëm dhe asnjë përgjigje. E vlerësuan në fillim DS3.”

”Ndoshta ka dalë ndonjë bos e do ta prishë pallatin. Përgjigjja në bashki ishte: Dilni jashtë se po na bllokoni ajrin.”

“Na erdhi znj. Kryetare para votimeve dhe na tha që për 2-3 ditë dhe asnjë përgjigje deri tani. Kanë kaluar dy muaj. Njëherë vendosën ta prishin, pastaj thanë do e rishikojmë.”

”Jemi te pallati “Goraj” te markata. Kemi 1,5 vjet që rrijmë jashtë. Pallatet e tjera po i riparojnë. Duam të hyjmë në shtëpitë tona. Kam djersën time.”

Ndërsa këta banorë ankohen se askush nuk u jep një përgjigje, TCH mësoi në bashkinë e Durrësit se ky pallat pas ekspertizës së bërë nga Instituti i Ndërtimit ka kaluar në nivelin DS4 të dëmtimeve dhe pritet vlerësimi i kostove për këtë objekt, në mënyrë që të përcaktohet nëse do të riforcohet apo do të shembet. Kanë kaluar 19 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, por ende mjaft banorë nuk kanë mundur të kthehen në banesat e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA