“Gogu është mesazhier i Veliajt me Ramën”/ Lapaj në Shqipëria Live: Përdorin shtetin për të kërcënuar e shantazhuar njëri-tjetrin

03/11/2026 14:13

Drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ishte sot i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ku ka komentuar vizitën e ministrit të Drejtësisë në ambientet e paraburgimit, ku ndodhet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Lapaj u ndal te kompetencat ligjore të ministrit për të hyrë në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke vënë në pikëpyetje orarin dhe mënyrën se si është kryer vizita.

“Ministri i Drejtësisë është funksion politik, me inspektimet merren organet e caktuara. Duket qartë që është një mesazhier i Edi Ramës për Erion Veliajn dhe i Veliajt për Ramën, që është prishur ura e komunikimit. Të dalë e të na thotë sa herë ka shkuar. Ka shkuar herë të tjera? Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar mafioz, të cilët tashmë kanë dalë në sipërfaqe. Kur je brenda mafies janë të gjithë të lumtur, kur ndahet grupi, mafia fillon e sulmon njëri-tjetrin”, tha Lapaj.

Pjesë nga intervista:

Sidorela Gjoni: A e ka për detyrë një ministër Drejtësie të vizitojë, qoftë edhe për të parë edhe kushtet ku qëndron një kryetar bashkie aktual, në orën 10.30 të mbrëmjes?

Adriatik Lapaj: Referuar ligjit nr. 81 të vitit 2020 për trajtimin dhe të drejtave të të burgosurve dhe të paraburgosurve, ministri i Drejtësisë është një nga autoritetet që ligji parashikon që shkon në institucionet e vuajtjes së dënimit pa patur nevojë për autorizim paraprak. Gjithsesi, ora 22:30 nuk është një praktikë që rregullorja e parashikon. Rregullorja e përgjithshme e burgjeve për mënyrën e funksionimit të tyre parashikon që gjyqtarët, prokurorët e me radhë mund të shkojnë në çdo orë, por nuk ka një përcaktim për ministrin e Drejtësisë. Ajo çfarë është shumë e rëndësishme që unë kam parë deri tani, profesionalisht flas jo politikisht, është një moment që ministri pretendon se ka shkuar për të parë kushtet dhe për të vërtetuar pretendimet.

Sidorela Gjoni: Po për ta bërë këtë vizitë, a duhet të kërkojë leje diku?

Adriatik Lapaj: Jo, ministri jo.

Sidorela Gjoni: As te prokuroria?

Adriatik Lapaj: Jo. Por ka një moment te deklarata e tij që thotë se ka shkuar për të vërtetuar kushtet, pakënaqësitë, në kushte personale. Këtu ka diçka, nëse ka shkuar në cilësinë e ministrit, mund të shkojë në institucionin e paraburgimit. Ligji ka parashikuar që inspektimet dhe kushtet e të burgosurve e të paraburgosurve duhet të bëhen me plan pune, grup pune, bëhen procesverbale. Ministri nuk është pastor, ministri mund të shkojë që të rrëfehen. Ajo që duket qartë këtu, kjo është një mafie. Jo bandë më, se deri tani i kisha quajtur bandë. Është mafie. Pse është mafie? Se në momentin që përdoren të gjitha instrumentet e shtetit për të manipuluar e shantazhuar njëri-tjetrin brenda bandës, ke kaluar në një organizim sipëror të së keqes. Është mafie dhe Erion Veliaj po korr atë që ka mbjellë.

Sidorela Gjoni: Në cilat pika është shkelur rregullorja, ligji?

Adriatik Lapaj: Kjo historia “e mori nga Durrësi, e çoi në Fier” nuk është se ka ndonjë bazë, me thënë të drejtën, se pyetja që bëj unë si avokat është: pse në Durrës e jo në paraburgimin e Tiranës, ku është Ilir Meta? E di pse shkoi në Durrës? Se e kanë bërë luksoz atje paraburgimin.

Sidorela Gjoni: Po e dëgjova këtë çështjen e konviktit. Po si mund të lëvizësh nga burgu në bazë të kënaqësive të njerëzve?

Adriatik Lapaj: Po jo pra, jo. Edhe si mund të çohesh në Durrës e jo në Tiranë në bazë të kënaqësive të njerëzve?! Pra, kur do Rama, të çon në Durrës. Le të shkojmë te thelbi.

Sidorela Gjoni: Cili është thelbi?

Adriatik Lapaj: Erion Veliaj ka qenë pjesë e një bande dhe vazhdon të jetë. E kur i del kundër bandës, të ekzekuton politikisht, ekonomikisht, në botë ekziston edhe fizikisht. Kur korr të keqen, vjel të keqen. Mos e shtyp të pamundurin, mos bëj sikur nuk e shikon të padrejtën kur je në pushtet, se vjen një ditë ajo troket tek ty. E shikon si vërtitet jeta? Ky që merrte zvarrë nënat me spinaq, e marrin zvarrë tani nëpër paraburgime. Jemi duke diskutuar ku do bëjë burgun.

Sidorela Gjoni: A duhet ta pranojë Erion Velaij që është organizator i protestës së flamingove dhe të studentëve?

Adriatik Lapaj: Duan të bëjnë pis çdo gjë. Duan të marrin protestën. Kaluan te opozita, kanë dalë aq shumë variante. Qytetarët në këtë shtet kanë dalë se kur shkon te Onkologjiku s’ka mjekim për ata me kancer. Numri i lindjeve me vdekjet janë barazuar. Nuk ka garë, arsim, shëndetësi. Duan ta marrin që t’ia hedhin Veliajt, ta bëjnë pis. Jo. Janë qytetarë që nuk duan më të shtypen. U kanë hequr mundësinë të jetojnë me dinjitet.

Sidorela Gjoni: A është duke bërë atë që duhet në kuadër të çfarë i cakton ligji, ministri i Drejtësisë këto ditë?

Adriatik Lapaj: Në gjykimin tim jo. Ministri i Drejtësisë është funksion politik, me inspektimet merren organet e caktuara. Duket qartë që është një mesazhier i Edi Ramës për Erion Veliajn dhe i Veliajt për Ramën, që është prishur ura e komunikimit. Të dalë e të na thotë sa herë ka shkuar. Ka shkuar herë të tjera? Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar mafioz, të cilët tashmë kanë dalë në sipërfaqe. Kur je brenda mafies janë të gjithë të lumtur, kur ndahet grupi, mafia fillon e sulmon njëri-tjetrin.

Top Channel