Buxheti, rriten shpenzimet/ 96 milionë euro shkojnë për Teatrin, bypass Vlorë dhe unazën në Tiranë

24/06/2021 19:40

Qeveria ka rishikuar për herë të katërt buxhetin e vitit 2021. Përmes një akti normative ekzekutivi ka rishikuar treguesit e buxhetit duke rritur me 11.8 miliardë lekë zërin e shpenzimeve në raport me aktin normativ të prillit, duke e çuar kështu totalin e tyre në 610 miliardë lekë.

Mbajtja e pandryshuar e nivelit të të ardhurave në 489.5 miliardë lekë dhe rritja e fortë e shpenzimeve ka thelluar më tej defiçitin buxhetor me rreth 96.2 milionë euro.

Referuar relacionit që shoqëron aktin normativ, financat argumentojnë se kjo ndërhyrje vjen në kuadër të financimit të prioriteteve ku ndër më kryesoret lidhet me fushatën e vaksinimit anti Covid-19.

Nga kjo shtesë shpenzimesh pjesën më të madhe e ka marrë ministria e Infrastrukturës, buxheti i së cilës është rritur me 7 miliardë lekë para që do të shkojnë për financimin shtesë për hapjen e loteve të reja të Unazës Veriore të Tiranës, ndërtimin e segmentit rrugor sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, si dhe ndërtimin e By-Pass i Vlorës. Rritje fondesh janë parashikuar edhe për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në vend.

Ndërkohë, më shumë para kanë shkuar edhe për ministrinë e Bujqësisë dhe atë të financave, teksa rialokime janë bërë edhe ndërmjet institucioneve të tjera. Nga ana tjetër, sipas aktit normative rreth 900 milionë lekë do të shkojnë për bashkinë Tiranë për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, teksa

Fondi Rezervë po ashtu është shtuar me 2 miliardë lekë duke e çuar totalin e tij në 8 miliardë lekë, para që janë planifikuar të financojnë sigurimin e vaksinave dhe mbulimin e nevojave të tjera të Covid-19.

Top Channel