Rimëkëmbja pas pandemisë/ Presidentja e KE në Athinë, prezanton planin

18/06/2021 00:45

Stacioni i radhës së turneut të presidentes se KE Ursula von der Leyen, në vendet e BE për të paraqitur planet kombëtare për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, ka qenë Athina. Nga Agora Antike, dikur qendra e tregtisë dhe dialogut filozofik athinas, von der Leyen bashkë me kryeministrin Mitsotakis, kanë deklaruar se Komisioni ka dhënë dritën jeshile për Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes së Greqisë, që do të “transformojë ekonominë” dhe do të përgatisë vendin për të ardhmen.

“Plani u hartua këtu në Greqi dhe do të nxisë një rritje ekonomike që do të drejtohet dhe do të jetë në pronësi të vetë popullit grek. Dhe nuk ka dyshim se do të transformojë thellë ekonominë e Greqisë e cila do të përqafojë tranzicionin e dyfishtë jeshil dhe dixhital”- tha Von der Leyen.
Plani ofron në fillim rreth 4 mld euro nga Korniza Kombëtare e Referencës Strategjike, të cilat Greqia do t’i disbursojë pas vlerësimit pozitiv edhe të Këshillit Europian.

“Është e vërtetë që Greqia është një nga vendet që u favorizuan me shpërndarjen e fondeve pasi ka të drejtë për afro 31 miliardë euro në grante dhe hua. Megjithatë, Greqia ka pranuar edhe përgjegjësinë e vet duke qenë ndër vendet e para qe kane paraqitur një plan të integruar prej 175 investimesh thelbësore per projekte dhe reforma”- u shpreh Mitsotakis.

Sipas kryeministrit Mitsotakis rreth 31 mld eurot e planit grek do të vënë në lëvizje mbi 59 mld euro investime të cilat do të kapin shifrën prej 100 mld euro, duke krijuar mbi 200.000 vende pune dhe duke rritur PBB me 6,9% deri në vitin 2026.

Ndërsa von der Leyen ka nënvizuar se Greqia me anë të kësaj pakete prej 800 mld eurosh për vendet e BE, më e madhja prej planit Marshall, do të dalë më e fuqishme se kurrë dhe më e përgatitur.

Top Channel