Në Tiranë, Banka Qendrore hodhi sot në qarkullim dy prerje të reja kartëmonedhash 1 mijë lekë dhe 10 mijë, me vlerë afërsisht 10 dollarë dhe 100 dollarë.
Guvernatori Gent Sejko tha se gjatë pandemisë Covid është shfaqur një kërkesë në rritje për kartëmonedha fizike.
Ndërsa vëzhguesit e ekonomisë pohuan se ekonomia reale e Shqipërisë është në vështirësi të mëdha, ndonëse statistikat shprehin një optimizëm të matur për rritjen ekonomike.
Qytetarët e Shqipërisë do të kenë nga sot një prerje të re të kartëmonedhës kombëtare prej 10 mijë lekësh, ose afro 100 dollarë amerikanë.
Banka Qendrore e mori këtë vendim, sipas drejtuesit të saj Gent Sejko, për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për shërbime bankare moderne, si dhe për kartëmonedha fizike me cilësi dhe siguri më të lartë.
Kartëmonedha e re, bashkë me një mori elementesh sigurie, përmban foton e poetit Asdren- Aleks Stavro Drenova, i cili krijoi poezinë e himnit kombëtar të flamurit dhe shtetit shqiptar, si dhe janë përfshirë partiturat e muzikës së himnit.
Banka e Shqipërisë planifikon me kujdes monedhat e reja për të plotësuar kërkesat e rritura të tregut vendas për kartëmonedha fizike, sidomos gjatë vitit të pandemisë 2020, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
“Gjatë vitit 2020 paraja në qarkullim u rrit me rreth 52 miliardë lekë, ose 3 herë më shumë se rritja e vitit 2019. Edhe në 5 muajt e parë të vitit 2021 është shënuar një rritje prej 10 miliardë lekësh. Plotësimi i kërkesave për kartëmonedha është kryer përmes studimit mbi stokun e monedhës në Bankën e Shqipëri, i cili jep garancitë jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen” – tha Guvernatori Sejko.
Guvernatori Sejko i bëri këto komente sot në ceremoninë e publikimit të kartëmonedhave të reja 1 mijë lekë dhe 10 mijë lekë.
Gjatë një takimi me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar disa ditë më parë, zoti Sejko theksoi se treguesit kryesorë ekonomikë kanë marrë një kthesë drejt përmirësimit, ndonëse ekonomia shqiptare vijon të përballet ende me pasojat e pandemisë COVID-19 në konsum, investime, punësim dhe mbi borxhin publik.
Vëzhgues të pavarur të ekonomisë pohojnë se edhe këtë vit, shifrat në letër po përmirësohen, por ekonomia reale është në vështirësi të mëdha.
Gjergj Erebara, redaktor ekonomik i rrjetit ballkanik të gazetarisë investigative, BIRN,thotë se statistikat deklaratat zyrtare mbi rritjen ekonomike nuk marrin parasysh kontekstin social, ku gjendet Shqipëria sot dhe as të dhënat që lidhen me pabarazinë.
“Gjendja ekonomike e Shqipërisë është aktualisht e vështirë dhe një pjesë e madhe e popullsisë vuan nga papunësia dhe nga rënia e përgjithshme e aktivitetit ekonomik. Kjo gjendje nuk pasqyrohet në statistikat zyrtare për shkak të nivelit të lartë të pabarazisë. Prodhimi i Brendshëm Bruto ka pësuar një rënie jo aq të madhe në Shqipëri, por kjo rënie është përkthyer në 33 mijë të papunë aktualisht dhe për pjesën më të madhe të popullsisë nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Të ardhurat e administratës publike janë njësoj, ndërkohë që dhjetëra mijëra shqiptarë kanë humbur vendin e punës” – tha analisti Erebara i BIRN.
Sipas raportit më të fundit më të fundit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, sistemi bankar, inflacioni dhe kursi i këmbimit shfaqen të qëndrueshme.
Pandemia Covid 19 gjatë vitit të kaluar e çuan ekonominë shqiptare në recesion, sollën rritje të papunësisë dhe vështirësi financiare për shumë biznese e familje.
Ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune dhe shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%.
Rënia e të ardhurave solli rritjen e borxhit privat e publik. Banka theksoi se kriza goditi sidomos tregtinë dhe konsumin privat, ndërsa pasojat u ndjenë më shumë tek industria dhe shërbimet./VOA/
Top Channel