Hartë e re gjyqësore/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit për nismën e KLGJ: Jo eksperimente, mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme

14/06/2021 09:32

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) duke marrë shkas nga informacioni publik, lidhur me nismën e marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) që lidhet me propozimin në kuadër të hartës së re gjyqësore, për reduktimin e numrit të gjykatave të rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm nga 22 që është aktualisht në 12 gjykata, ndërsa Gjykatë të Apelit të ketë vetëm një, vlerësoi të nevojshëm të reagojë si vijon.

KShH u njoh me Raportin që Kryetarja e KLGJ-së, më datë 02.06.2021 ka paraqitur në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve ku raportoi për veprimtarinë e këtij institucioni për vitin 2020.

“Gjithashtu jemi njohur dhe me dokumentin e Komisionit Europian për efiçencën e Drejtësisë (CEPEJ) të datës 7 dhjetor 2016, ku veç të tjerave bëhet fjalë për hartën gjyqësore dhe ndarjen e çështjeve midis gjykatave të ndryshme.

Në parim, KShH nuk paragjykon as nismën e KLGJ-së dhe as konkluzionet e grupit të punës të krijuar për këtë qëllim. Përkundrazi, kjo nismë përbënte një nga prioritetet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, por e vonuar dhe rrjedhimisht duhet të ishte hartuar dhe finalizuar më herët në kohë”, thuhet në njoftim.

Megjithëkëtë, KShH shpreh shqetësimin e vet për çështjet e mëposhtme:

1- Përparësi në organizimin e ri të gjykatave duhet të ketë aksesi efektiv i qytetarëve, i cili përbën një objektiv kyç të reformës në drejtësi. Kjo do të kërkonte studim të thelluar dhe të gjithëanshëm. KShH ka mendimin se kjo çështje duhet të ishte bërë objekt diskutimi dhe debati me të gjithë organet e sistemit të drejtësisë duke përfshirë këtu avokatët, shkollën e magjistraturës dhe organizatat e shoqërisë civile, sidomos ato që veprojnë në fushën e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Madje do të ishte e rekomandueshme që problemi të diskutohej edhe me grupe qytetarësh (si psh qytetarë që janë palë ndërgjygjëse në procese gjyqësore në gjykata të ndryshme të vendit) apo grupe të tjera interesi. KShH mendon se kjo është e domosdoshme qoftë edhe në kuadër të ligjit “Mbi konsultimin publik”, pasi harta e re gjyqësore mund të konsiderohet një politikë me interes të lartë publik.

2- KLGJ, në raportin e dhënë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ka theksuar se Këshilli ka patur parasysh dhe është bazuar edhe në standartet e CEPEJ-it për rritjen e numrit të stafit ndihmës. Vlen të përmendet se në dokument paraqiten variante të ndryshme për vende të ndryshme. Për KShH-në, standartet ndërkombëtare duhen zbatuar, por kushtet konkrete të çdo vendi duhen marrë parasysh, sepse ato ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Kjo kushtëzohet nga shumë faktorë, siç janë p.sh. zonat gjeografike, popullata dhe përqëndrimi i saj, kushtet sociale-ekonomike të shtetasve që jetojnë në qytetet e vogla apo zonat rurale, etj. E shikojmë të nevojshme të përmendim se në dokumentin e CEPEJ theksohet se “duhet të mbahet në konsideratë fakti se aksesi në një gjykatë dhe në procedurat e një gjykate nuk përbën “shqetësim” për shtetin. Ai është një mjet për mbrojtjen e të drejtave të palëve ndërgjyqëse.”

3- Për KShH-në, nuk mund të thuhet se “gjykatat më të mëdha” garantojnë akses në drejtësi. Për mendimin tonë, ky nuk është elementi i vetëm. Në këtë vështrim rëndësi të veçantë ka organizimi i gjykatave, aftësitë profesionale të gjyqtarëve, integriteti dhe imuniteti i tyre nga fenomeni i korrupsionit apo ndikime të paligjshme apo papërshtatshme, afërsia gjeografike e shtetasve që janë në nevojë dhe në kushte të vështira ekonomike, etj.

4- Në Raportin e paraqitur nga KLGJ në Komisionin e Ligjeve, thuhet se ky organizim përsa i përket “grupimit të apeleve” të jetë i përkohëshëm, 4 deri 5 vjet. Pa bërë analogji as për kohën dhe as për kushtet, një organizim i tillë, sidomos për Gjykatat e Apelit në vitin 1995, është shoqëruar me ankesa të shumta sepse ka cënuar aksesin e qytetarëve.

Në përfundim, KShH sugjeron që drafti përkatës të jetë objekt diskutimi dhe debati publik gjithëpërfshirës, të realizuar në kohë të arsyeshme dhe pa nxitim si dhe në mënyrë transparente. Eksperimentet në këtë drejtim mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme.

Top Channel