Policia Kufitare e Kakavijës ka goditur një rast të kontrabandës me medikamente mjekësore, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme ilaçesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës.
Gjithashtu, policia ka arrestuar poseduesin e ilaçeve, shtetasin D. K. Sipas uniformave blu, ilaçet janë gjetur në kabinën e kamionit të ndara në 4 qese, me vlerë totale 2200 euro.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi D. K.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe shërbimet e Frontex-it, gjetën të fshehura në kabinën e kamionit 4 qese, brenda të cilave kishte medikamente mjekësore (ilaçe) me vlerë totale 2 200 euro, të pa shoqëruara me dokumentacionin përkatës.
Pas veprimeve të kryera hetimore, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin D. K, 30 vjeç, banues në Fier.
Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”.
Top Channel